Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) njofton se në kuadër të zbatimit sa më korrekt të ligjit ka nisur verifikimin e dosjeve të mjeteve që aktualisht janë të pajisur me certifikatë miratimi të errësimit të xhamave të autoveturave.
Nga verifikimi ka rezultuar se nga subjektet, për të njëjtin shërbim, janë lëshuar certifikata ISO të prodhuesit të cilat kanë qenë afër afatit të përfundimit të vlefshmërisë, apo nuk kanë të pasqyruar siç duhet numrin e certifikimit sipas trupës akredituese që e ka lëshuar.
DPSHTRR bën me dije se praktika të tilla do të jenë objekt verifikimi nga Task Forca e Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.