Pa u mbyllur ende problematika e shembjes masive të rrugës Qukës-Qafë Plloçë në dalje të tunelit, një tjetër segment i aksit nacional i inauguruar në muajin shtator, ka pësuar dëmtime të shumta.
Bëhet fjalë për një pjesë të trotuarit në fshatin Gështenjas, të shembur tanimë. Rrjetet nëntokësore në atë aks janë dëmtuar, siç raporton Balkanweb dhe po ashtu rrezikohen edhe karrexhata e rrugës.
Po a mund të përdoret industria e sigurimeve, si ndihmëse në procesin e mirëmenaxhimit të parave publike, në mënyra që gropa e shpenzimeve për mirëmbajtje dhe rregullim pas shembjeve të mos thellohet?
Përgjigjja është po!, në nivel teorik, por në praktikë, përsa i takon Shqipërisë varion.
Në Shqipëri, pas marrjes në dorëzim nga autoriteti përgjegjës të rrugëve të sapondërtuara, sigurimi i tyre nuk ndodh.
Këtu përjashtim bëjnë vetëm rrugët e mara me koncesion, ku marrja në sigurim është trajtuar si detyrim kontratual.
Përgjigjja profesionale është e qartë:
Rruga, si aset, si pronë publike, mund të sigurohet. Ekziston sigurimi i përgjegjësisë së rrugës.
Në të gjithë botën e zhvilluar, rrugët sigurohen si objekt ndërtimi dhe si aset publik gjatë operimit, duke mbuluar dëmtimet materiale dhe përgjegjësinë ndaj të tretëve.
Por Shqipëria nuk e bën gjithmonë këtë. Ose më saktë: e bën vetëm kur rruga po ndërtohet, sigurimi i njohur si CAR (Construction all risks).
Pas ndërtimit mund të ndodhë që rruga të bllokohet, të pësojë shembje dhe kjo i shkakton plagë të vazhdueshme buxhetit të shtetit.
Shpesh herë, për fatin e keq dhe për keqmenaxhim të parave publike, kjo ngjarje ndodh shpesh fill pasi rrugët janë inauguruar.
Shqiptarëve u duhet të paguajnë një faturë ekstra për rirregullim, ndërkohë që planifikimi paraprak i siguracioneve që në fazat e hershme, mund t’ua kursente këto shpenzime.




