Zbatimi i pagesave të Single Euro Payment Area (SEPA) në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, ka ulur ndjeshëm kostot e transfertave ndërkufitare për bizneset dhe ka përmirësuar shpejtësinë e pagesave.
Sipas Bankës Botërore, tre vendet operacionalizuan anëtarësimin në SEPA në tetor, duke mundësuar transfertat në euro sipas skemës SEPA Credit Transfer.
Raporti i fundit i Bankës Botërore tregon se kostot mesatare për transfertat prej 5,000 euro ranë në 0.08% nga 0.76% një vit më parë, ndërsa për transfertat prej 20,000 euro zbritën në 0.02% nga 0.47%, duke reflektuar një ulje rreth 90%.
Raporti evidenton gjithashtu përmirësim të madh në kohën e ekzekutimit të pagesave.
Pjesa e transfertave nga BE drejt rajonit që përfundon brenda 24 orëve u rrit në 63% në vitin 2025 nga 6% një vit më parë, ndërsa transfertat nga rajoni drejt BE-së arritën në 74% nga 39%.
Në të kundërt, korridoret që përfshijnë vende jashtë SEPA shënuan pak ndryshime në kosto dhe vijojnë të kenë diferenca të mëdha tarifash. Banka Botërore thekson se zgjerimi i mëtejshëm i SEPA në rajon do të ndihmojë integrimin financiar dhe uljen e kostove për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.




