Emigrimi i vazhdueshëm dhe i pandalshëm vitet e fundit ka dhënë pasoja edhe tek arsimi.
Këtë 7 tetor, në auditorë janë ulur rreth 117 mijë studentë ose 3.6% më pak se vitin e kaluar akademik. Në vite numri i studentëve, por jo vetëm, edhe nxënësve në ciklet e tjera të studimit ka ardhur në rënie.
Por cilat janë arsyet e kësaj situate?
Shkaku kryesor vlerësohet niveli i lartë i emigrimit dhe kryesisht moshave të reja, që janë edhe frekuentuesit e arsimit të lartë.
Faktorë të tjerë janë plakja e popullsisë, si dhe humbja e interesit për arsimin, që mund të vijë si nga cilësia e universiteteve, ashtu edhe nga humbja e besimit për gjetjen e një pune me të ardhura të mira pas përfundimit të ciklit të studimeve.
Pakësimi i numrit të nxënësve dhe studentëve ka pasoja për ekonominë, në afatshkurtër dhe afatgjatë.
Kjo pasi ulet ndjeshëm niveli i arsimimit të popullsisë; kemi një fuqi punëtore më pak të kualifikuar dhe rrjedhimisht, më pak produktive. Kjo në finale çon në një rritje më të ngadaltë të ekonomisë.
E ndërsa shifrat ilustrojnë një situatë alarmante për sa i përket të tashmes dhe të ardhmes së arsimit të lartë, investimet gjithashtu në këtë sektor janë të ulëta.
Rezulton se Shqipëria ka nivelin më të ulët të investimeve buxhetore për sektorin e arsimit me vetëm 2.9% të prodhimit të brendshëm bruto, shumë më pak se rajoni apo mesatarja e Bashkimit Europian. Kjo bën që studentët të ngarkohen me kosto shtesë, në mungesë të garantimit të të gjithë bazës materiale, kampuseve universitare të mjaftueshme apo edhe garantimit të praktikës. Kosto që për studentët pjesërisht mbulohen nga familjet, por një pjesë janë të detyruar të punojnë.