Nga 31 tetori, operatori i fluturimeve Ryanair, i cili ka sjellë revolucionin e çmimeve të ulëta në Europë, do të nisë fluturimet në Shqipëri.
Michael O’Leary, CEO i Ryanair, vizitoi sot Tiranën me ekipin e tij të shitjes dhe ekipin operacional për të promovuar fillimin e fluturimeve të Ryanair për në/nga Tirana, duke filluar nga e marta (31 Tetor).
Ryanair ka nisur një fushatë promocionale 3-ditore në të 17 destinacionet e reja për/nga Tirana, me 50,000 vende që janë në shitje, duke filluar nga 14.99 euro, të cilat janë në dispozicion nga nëntori 2023 deri në mars 2023 (edhe pse këto vende duhet të rezervohen deri në 28 tetor direkt në faqen e internetit të kompanisë).
O’Leary tha se oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 destinacione, dhe mbi 200 frekuenca javore tregon kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhētime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turistëve në Shqipëri, si dhe për qytetarët shqiptarë gjithashtu.
Si linja ajrore nr. 1 në Europè, Ryanair beson se mund të japë rritje të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme të trafikut dhe turizmit, jo vetëm këtë dimër, por edhe për shumë vite të ardhshme në Shqipëri.
Sipas njoftimit për shtyp, për shumë kohë, shtimi i destinacioneve të reja dhe trafikut në Shqipëri është penguar nga linjat ajrore me çmime të larta.
Nga e marta e ardhshme më 31 Tetor përfundon kjo epokë e çmimeve të larta.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me CEO e Ryanair, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, tha se “ardhja e një kompanie si Ryanair, një emër me kaq eksperiencë në industrinë europiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti dhe Praga”.
Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi faktin se turizmi në vend ka njohur rritje gjatë këtij viti dhe Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të preferuar thuajse gjithëvjetor.
Sipas shifrave më të fundit të INSTAT, për periudhën 9-mujore vendin e kanë vizituar rreth 8.3 milionë turistë, ndërsa muaji shtator u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 45% më shumë se vitin e kaluar.