Kredia për shtëpi regjistroi përsëri një rritje të fortë në muajin prill.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë muajit të katërt të vitit, sektori bankar dha pothuajse 4.9 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi, në rritje me 52% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Për të gjithë 4-mujorin, kredia e re për shtëpi e disbursuar nga sektori bankar arriti vlerën e 17.9 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kredia e re për shtëpi po thyen edhe këtë vit rekordet historike ndërsa po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt monedhës vendase.
72% e kredisë për shtëpi të dhënë gjatë muajve të parë të këtij viti ishte në monedhën vendase.
Kredia e re në lekë është rritur me 125% krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkohë, kredia në euro po bie ritme të shpejta dhe pothuajse u përgjysmua për katër muajt e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, tashmë portofoli aktiv i kredisë për blerjen e banesave ka arritur vlerën pothuajse 190 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 10.6%. Ky portofol përbën tashmë rreth 26% të kredisë totale për ekonominë shqiptare.
Normat relativisht të ulëta të interesit vazhdojnë t’i tërheqin shqiptarët, por edhe shumë blerës jorezidentë, drejt investimeve në pasuri të paluajtshme.
Sipas agjentëve të tregut, kërkesa paraqitet veçanërsisht e lartë për prona në bregddet. Boom i turizmit në vitet e fundit ka shtuar kërkesën për blerje të pronave me qëllim investimi për qiradhënien e tyre ditore te turistët e huaj.
LEXO EDHE: Rritet kërkesa për apartamente në bregdet, 40% e blerjeve nga të huajt. Sa shkojnë çmimet për m²
ÇFARË DUHET TREGUAR KUJDES KUR MARRIM NJË KREDI PËR BLERJE SHTËPIE?
Gjatë marrjes së një kredie ka disa detaje, të cilave nuk u vemë shumë rëndësi, po që në thelb janë jetike për secilin nga ne, siç është edhe Sigurimi i Shtëpisë që po blejmë.
Është shumë e rëndësishme të kuptojmë diferencën mes “Sigurimit të apartamentit me përfitues Bankën në vlerën e kredisë që merret për blerjen e tij” dhe “Sigurimit të apartamentit për vleren reale të tij”.
Pse?
Banka e siguron banesën e kredituar për shumën që ajo ka dhënë kredi. Me pak fjalë, Banka siguron kredinë, çka do të thotë, në rast se shtëpia që është lënë kolateral dëmtohet, atëherë kompania e sigurimit ka detyrim ti paguaj bankës vetëm kredinë tuaj.
Ju nuk keni më borxh financiar ndaj bankës por nëse shtëpia juaj nuk ka qenë e mbuluar në vlerën e saj të plotë, ju mund të mbeteni edhe pa banesë.
Çfarë duhet të bëjmë?
Të sigurojmë shtëpinë me mbulim vlerën e plotë të saj.
Një shembull: Në qoftë se blini një apartament me vlerë 100,000 euro; 50 mijë euro kursime tuajat dhe 50 mijë euro kredi nga banka. Në rast dëmi, kompania e sigurimit mbulon vetëm 50% të dëmeve të shkaktuara dhe pjesën tjetër duhet ta përballoni me financat tuaja. Kjo e vlefshme dhe për rastet kur ka dëmtime pjesore, për shembull një dëm me kosto 2 mijë euro, sigurimi mbulon vetëm 50% të dëmit, pra 1 mijë euro. Ndërsa pjesën tjetër, 1 mijë euro, duhet ta rregulloni nga buxheti juaj.
Siguroni investimin tuaj më të rëndësishëm me vlerën e tij real që të garantoni qetësinë financiare dhe të shmangni surprizat e pakëndshme për ju dhe familjen tuaj!
LEXO EDHE: Shumë ndërtojmë, pak mbrojmë/ Ndërtimi i rikthehet rritjes, sigurimi i pronave në rënie