Tregu i sigurimeve në Kosovë, për 11 muajt e parë të vitit, konkretisht për periudhën janar-nëntor 2025, ka pësuar rritje me 5.85% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Volumi i primeve të shkruara bruto në krahasim me periudhën paraprake është rritur për 8,918,378 euro më shumë duke arritur gjithsej shumën prej 161,497,815 euro.
Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës arriti shumën 153,962,594 euro duke shënuar një rritje në masën prej 5.72% krahasuar me periudhën Janar-Nëntor 2024, edhe pse pse si numër, numri i kontratave ra me 7.05%.
Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës arriti shumën 7,535,220 euro duke shënuar një rritje në masën prej 8.37% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa si numër, numri i kontratave u rrit me 25.09%.
Dëmet e paguara
Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2025, janë paguar gjithsej 79,057,680 euro dëme ose 15.20% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë janar-nëntor 2024.
Numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës Janar-Nëntor 2025 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është rritur për 3,824 dëme duke arritur në 209,521 nga të cilat 208,811 dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 710 nga kompanitë e sigurimit të Jetës.




