8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRënie historike e euros, preket për herë të parë kufiri i 103.6...

Rënie historike e euros, preket për herë të parë kufiri i 103.6 lekëve

Rënia e euros ka prekur një rekord të ri historik ditën e enjte.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 103.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 11.7%.

Në këtë periudhë, kursi i këmbimit po hyn në momentin kur efekti sezonal veror është më i fortë se kurrë, për shkak të pikut të sezonit turistik. Mbështetur në të dhënat e deritanishme dhe në pritshmëritë e operatorëve, pritet që viti 2023 të shënojë një rekord të ri në numrin e turistëve të huaj dhe në prurjet valutore prej turizmit.

Në këtë mënyrë, edhe efekti sezonal këtë vit mund të jetë edhe më i fortë se vitet e mëparshme. Megjithatë, këtë vit rënia e Euros ka nisur shumë herët, qysh prej muajit prill.

Në vija të përgjithshme, përmirësimet e bilancit të pagesave në tremujorin e parë të vitit e mbështesin një tendencë mbiçmuese të monedhës vendase. Burimet kryesore të prurjeve valutore që e kanë ngushtuar deficitin e llogarisë korrente janë pikërisht turizmi, përmirësimi i bilancit tregtar të shërbimeve në përgjithësi dhe remitancat.

Nga ana tjetër, investimet e huaja kanë vijuar të rriten dhe shuma e tyre e tejkalon ndjeshëm vlerë e deficitit të llogarisë korrente.

Shifrat e tremujorit të parë treguan një frenim në investimin e shtetasve të huaj në pasuri të paluajtshme, por, megjithatë sipas agjentëve të tregut valutor tremujori i dytë dhe i tretë i vitit kanë sjellë rritje të investimeve nga blerësit e huaj, sidomos në zonat turistike.

Është e qartë që, të paktën për sezonin veror, pritshmëritë e agjentëve të këmbimit ngelen për një forcim të mëtejshëm të Lekut kundrejt Euros. Mbështetur në të dhënat historike, piku i efektit sezonal në kursin e këmbimit arrihet zakonisht në ditët e para të muajit gusht.

Por, mbiçmimi i Lekut këtë vit është i fortë edhe kundrejt valutave të tjera kryesore. Ky mbiçmim po ndikohet pjesërisht nga rënia e kursit të brendshëm të euros, që është monedha e huaj referuese në ekonominë shqiptare dhe pjesërisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Dollari amerikan pësoi të enjten një tjetër rënie të fortë me 1.64 pikë dhe zbriti në 92.77 lekë, duke shënuar vlerën më të ulët që prej dhjetorit të vitit 2009. Ndërkohë, paundi britanik pësoi gjithashtu rënie me 0.9 pikë, duke shënuar një rekord të ri historik, në nivelin 121.12 lekë.

Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë i bën më të lira importet dhe në teori duhet të ndikojë në një ulje të komponentit të importuar të inflacionit. Ky efekt mund të jetë më i prekshëm pas vjeshtës. Forcimi i Lekut po favorizon gjithashtu huamarrësit në Lekë, duke ulur vlerën e kredisë dhe të këstit mujor, të shprehur në monedhën vendase, në të cilën shumica e huamarrësve kanë të ardhurat e tyre.

Por, nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i Lekut po dëmton eksportet shqiptare, duke ulur të ardhurat të shprehura në lekë dhe duke i bërë ndërmarrjet shqiptare më pak konkurruese. Rënia e vazhdueshëm e Euros po ul gjithashtu vlerën në Lekë të kursimeve të shqiptarëve, që në pjesën më të madhe mbahen në valutë të huaj./Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat