Pesha e kredisë jorezidente në muajin tetor ka zbritur pranë niveleve më të ulëta vjetore.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e dhënë për huamarrës jorezidentë në Shqipëri në fund të tetorit përbënte 8.3% të portofolit të kredisë. Ky është niveli më i ulët që prej muajit janar 2021.
Pesha specifike e këtij segmeni në portofolin e bankave është më ulët edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte 8.3% të totalit.
Pesha e kredisë për jorezidentët shënoi një rritje sidomos gjatë tremujorit të dytë 2021, duke arritur në më shumë se 9% të portofolit të kredisë së sektorit bankar, për shënuar një rënie graduale gjatë muajve në vijim.
Në vlerë, kredia për jorezidentët në fund të tetorit arriti në 58.5 miliardë lekë (rreth 483 milionë euro), në rritje me 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbështetur në të dhënat që i referohen gjashtëmujorit të parë 2020, raporti i kredive me probleme për kredinë dhënë subjekteve jorezidente është relativisht i ulët, rreth 2%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për subjektet jorezidente në pjesën më të madhe është kredi e dhënë për bizneset, e dominuar kryesisht nga maturiteti afatgjatë.
Lexo edhe: Rriten primet në Sigurimet e Jetës/ SIGAL LIFE UNIQA Group Austria e para për dëmet e paguara
Kredia e sektorit bankar për jorezidentët arriti nivelet më të larta në vitin 2017, kur përbënte pothuajse 15% të totalit të portofolit të huas ësë sektorit bankar në Shqipëri. Një pjesë e madhe e kredisë jashtë vendit lidhej sidomos me aktivitetin e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë. Pasi dega në fjalë u nda nga banka mëmë në Shqipëri, në fillim të vitit 2019, kjo kredi pësoi rënie të ndjeshme. Rënia graduale vijoi deri në fund të vitit 2019, kur kredia jashtë vendit arriti deri në 6.5% të totalit.
Më pas, pas vitit 2020 u shënua një ringritje, por pa arritur në nivelet e shënuara deri në vitin 2017. Një pjesë e rritjes mund të lidhet edhe me faktin që një tjetër bankë shqiptare, Credisn Bank, ka filluar aktivitetin me një degë në Kosovë. Edhe në momentin kur kredia jashtë vendit arriti pikun, ajo ka qenë e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit.
Këto banka vitet e fundit kanë kërkuar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, sidomos në tregje si Kosova, ku kthimet janë të kënaqshme dhe raporti i kredIve me probleme ka qenë i ulët.
Më shumë se gjysma e depozitave në sektorin bankar shqiptar janë në valutë të huaj dhe tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies.
Por, në vitet e fundit kreditimi po shfaqet gjithnjë e më i orientuar drejt lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit.
Për këtë arsye, disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes. /Monitor