Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake nga regjistrimi i fundit i popullsisë.
Sipas ASK-së, në Kosovë jetojnë 1 milion e 586 mijë e 659 banorë. Ndërsa në diasporë rreth 600 mijë.
Në bazë të regjistrimit të vitit 2011, Kosova kishte 1 milionë e 739 mijë banorë.
Nga statistikat e prezantuara sot, u kuptua se në Kosovë ka më shumë burra se gra.
Konkretisht, në Kosovë jetojnë 795,046 banorë të gjinisë mashkullore, ndërsa 791,614 janë banore të gjinisë femrore.
Dominon popullsia e grupmoshave 16-64 vjeç, ndërsa ka rënie tek popullsia 0-15 vjeç. Po ashtu, sipas prezantimit, vërehet një rritje tek popullsia mbi moshën 65-vjeçare.
Numri i banesave është 560 mijë. Numri i ekonomive familjare 353 mijë ekonomi familjare, derisa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banorë.
Komunat me rritje në numrin e popullsisë janë:
Fushë Kosova 83,99%
Parteshi 81.93%
Graçanicë 81,46%
Shtërpcë 56,71%
Kllokoti 19,13%
Prishtinë14,21%
Obiliq 5,78%
Mamusha 1,96%
Ferizaj 0,68%.
Ndërkohë në të 29 komunat e tjera ka rënie të numrit të popullsisë.