Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë ndër të paktat vende në listën e publikuar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, që do të përballen me një tarifë doganore bazë prej 10%.
Dallimi është i dukshëm, sidomos brenda Ballkanit Perëndimor, nëse krahasohen me vende si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, të cilat do t’u nënshtrohen tarifave më të larta, që variojnë nga 33% deri në 37%.
Tarifat më të ulëta krahasuar me vendet e tjera nuk e bëjnë ekonominë shqiptare imune, pasi ajo tashmë është e ndërvarur dhe e ndërlidhur me ekonomitë e kontinentit.
Gjasat që Shqipëria të ndiejë ndikimin e tarifës 20%, që SHBA-ja ka vendosur për produktet nga Bashkimi Europian, janë të larta, po të mbahet parasysh se BE-ja është partneri kryesor i tregtisë së jashtme të vendit, me 58.9% të volumit tregtar.
Importet dhe eksportet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve kanë hyrë në një trajektore rënëse. Në muajt e parë të këtij viti, sipas INSTAT, importet nga SHBA-të kanë rënë në 2.7 miliardë lekë, nga 4.3 miliardë një vit më parë (kryesisht ushqime, automjete, çelik dhe mobilie). Edhe eksportet kanë ndjekur të njëjtën prirje: në janar-shkurt 2025, ato kanë rënë në 653 milionë lekë nga 749 milionë lekë një vit më parë.
Tarifat e reja amerikane, që shkojnë deri në 50% për disa vende, kanë hyrë në fuqi këtë javë. Shqipëria “i gëzohet” përkohësisht klasifikimit në fashën e ulët.
SHBA-të janë tregu kryesor për eksportin e bimëve mjekësore nga Shqipëria, me 32% të totalit të shitjeve në 2024-n, rreth 16.4 milionë dollarë. Eksportuesit e bimëve medicinale vendase kërkuan menjëherë një paketë masash ndihmëse për sektorin, që përmban rimbursim të menjëhershëm 10% të TVSH-së për fermerët, një kurs të stabilizuar për euron dhe dollarin, si edhe disa masa fiskale si heqja e tatimit mbi pagat për vlera deri në 80 mijë lekë për punonjësit sezonal. Përveç bimëve medicinale, mineralet, lëndët djegëse, këpucë e tekstile, janë ato çfarë ne eksportojmë drejt Amerikës.