Në këtë artikull do të përshkruajmë ekskluzivisht se si disa vende anëtare të BE-së, pjesë e rajonit të Ballkanit, si Greqia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe Sllovakia e rregullojnë qarkullimin e monopatinave elektrike.
Bullgaria
Përdorimi i monopatinëve elektrikë në Bullgari rregullohet nga Ligji për Qarkullimin Rrugor.
Mosha minimale për drejtimin e monopatinëve është 14 vjeç. Të rinjtë nga 14 deri në 16 vjeç lejohen të qarkullojnë vetëm në korsitë e biçikletave, jo në rrugë. Shpejtësia maksimale e lejuar është 25 km/h. Përdorimi i kaskës është i detyrueshëm për personat nën 18 vjeç.
Në errësirë, është e detyrueshme të përdoren dritat dhe të vishet veshje reflektuese.
Monopatinët mund të lëvizin në korsitë e biçikletave ose, në mungesë të tyre, në rrugë me kufi shpejtësie deri në 50 km/h, duke qëndruar sa më në të djathtë. Ndalohet qarkullimi në korsitë e autobusëve, trotuare apo zona të ndaluara me tabela për biçikleta.
Në disa qytete mund të ketë edhe kufizime të tjera specifike për monopatinët.
Gjobat variojnë nga 10 deri në 50 leva (rreth 5 deri në 26 euro), për shkelje si: mungesa e kaskës ose veshjes reflektuese natën, mungesa e dritave, tejkalimi i shpejtësisë, ose mosrespektimi i korsive të biçikletave. Përdorimi i alkoolit lejohet deri në 0.5 ‰, por çdo shkelje gjobitet me 20 leva (rreth 10 euro).
Në Bullgari nuk ka detyrim për sigurim për monopatinët elektrikë privatë.
Kroacia
Që nga fundi i korrikut 2022, përdorimi i monopatinëve elektrikë në Kroaci është i rregulluar me ligj. Mosha minimale për të drejtuar një monopatin elektrik është 14 vjeç. Shpejtësia maksimale e lejuar është 25 km/h dhe motori nuk duhet të ketë fuqi më të madhe se 600 watt.
Përdorimi i kaskës është i detyrueshëm për të gjithë përdoruesit e monopatinëve, pavarësisht moshës. Qarkullimi është i lejuar në korsitë e biçikletave, ndërsa në mungesë të tyre, mund të qarkullohet në rrugë me kufi shpejtësie deri në 50 km/h, duke qëndruar gjithmonë sa më në të djathtë të rrugës. Në zonat për këmbësorë lejohet qarkullimi vetëm me shpejtësi ecjeje (5 km/h).
Drejtuesit duhet të veshin rroba reflektuese në kushte me dukshmëri të dobët dhe ndalohet përdorimi i kufjeve në të dy veshët gjatë drejtimit.
Për shkeljet janë parashikuar gjoba: 30 euro për drejtim pa kaskë, 30 euro për përdorimin e kufjeve në të dy veshët, 130 euro për tejkalim të shpejtësisë dhe 60 euro për qarkullim në autostrada, rrugë shpejtësie apo rrugë të rezervuara vetëm për mjete motorike.
Greqia
Përdorimi i monopatinëve elektrikë është i rregulluar me ligj dhe kërkon respektimin e disa kushteve të rëndësishme. Mosha minimale për të drejtuar një monopatin është 15 vjeç, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar është 25 km/h. Përdorimi i kaskës është i detyrueshëm për të gjithë drejtuesit e monopatinëve.
Monopatinët elektrikë lejohen të përdoren në korsitë e biçikletave dhe në rrugët ku kufiri i shpejtësisë nuk kalon 50 km/h. Ndalohet qarkullimi në trotuare, përveç rasteve kur monopatina nuk mund të ecë më shpejt se 6 km/h.
Për sigurinë e drejtuesve dhe të tjerëve, monopatinët duhet të jenë të pajisur me frena funksionale dhe sinjal zanor. Gjithashtu, në errësirë është e detyrueshme të përdoren dritat e para dhe të pasme, përkatësisht drita e bardhë përpara dhe drita e kuqe pas, si dhe të paktën një pasqyrues në secilën anë të monopatinës.
Rumania
Në Rumani përdorimi i monopatinëve elektrikë rregullohet me ligj ku mosha minimale për përdorim është 14 vjeç dhe shpejtësia maksimale e lejuar është 25 km/h, me një fuqi motori që nuk duhet të kalojë 500 vat.
Përdorimi i kaskës është i detyrueshëm për fëmijët nën 16 vjeç. Vozitja lejohet kryesisht në korsitë e biçikletave, ndërsa në mungesë të tyre, monopatinët mund të përdoren në rrugë me kufizim shpejtësie deri në 50 km/h, ku vozitësit duhet të mbajnë kartën e identitetit dhe nëse voziten në grup, duhet të lëvizin njëri pas tjetrit.
Ndalohet vozitja në trotuar, park, kalldrëm, si dhe nën ndikimin e alkoolit ose drogës, apo duke përdorur kufje. Në kushte të këqija, si akull apo borë, përdorimi gjithashtu është i ndaluar.
Pajisjet e detyrueshme për monopatinën përfshijnë frenat, sinjalin zanor, dritat dhe pasqyruesit që duhet të jenë të dukshëm gjatë natës dhe në mot të keq. Sa i përket parkimit, monopatinët mund të parkohen në trotuar vetëm nëse nuk pengojnë këmbësorët, ndërsa është e ndaluar parkimi në rrugë apo në korsitë e biçikletave.
Sllovenia
Në këtë vend, mosha minimale për të vozitur monopatinë elektrik është 14 vjeç, ndërsa fëmijët nga 12 deri në 14 vjeç që kanë leje për biçikletë mund të vozisin monopatinë në rrugë.
Shpejtësia maksimale e lejuar është 25 km/h, ndërsa gjerësia e monopatinës nuk duhet të kalojë 80 cm dhe fuqia e motorit duhet të jetë nën 250 watt. Kaska është e detyrueshme për të rinjtë nën 18 vjeç.
Vozitja lejohet në korsitë e biçikletave dhe në zonat urbane, ku në mungesë të korsive të biçikletave mund të përdoret rruga me kufizim shpejtësie deri në 50 km/h, duke mbajtur djathtas.
Në zonat këmbësore vozitja lejohet vetëm me shpejtësi ecjeje. Ndalohet vozitja në trotuar dhe në rrugët jashtë zonave të ndërtuara. Pajisjet e detyrueshme përfshijnë frenat, dritën e bardhë përpara dhe dritën e kuqe pas, të cilat duhet të jenë ndezur natën ose kur dukshmëria është e kufizuar, si dhe pasqyrues të kuq në pjesën e pasme dhe të verdhë/oranj në anë.
Gjoba për vozitje në trotuar është 40 euro, ndërsa për përdorimin e kufjeve ose celularit gjatë vozitjes është 120 euro.
Sllovaki
Në këtë vend, monopatinat elektrike mund të përdoren në rrugë nga personat mbi 15 vjeç. Personat nën 15 vjeç lejohen të vozisin vetëm në korsitë e biçikletave, rrugët rezidenciale dhe shtigjet në pyje. Shpejtësia maksimale e lejuar është 25 km/h. Përdorimi i kaskës nuk është i detyrueshëm, por rekomandohet fuqimisht.
Lejohet vozitja në korsitë e biçikletave, në anën e djathtë të rrugës dhe në trotuare, por vetëm me shpejtësi ecjeje dhe në mënyrë që të mos pengohet lëvizja e këmbësorëve.
Pajisjet e detyrueshme përfshijnë të paktën një frenë, sinjal akustik, dritë të bardhë përpara dhe të kuqe pas, si dhe pasqyrues të bardhë përpara dhe të kuq pas. Këto pasqyrues mund të zëvendësohen me elemente reflektuese në rrobat e vozitësit. Dritat duhet të jenë të dukshme në errësirë për të paktën 150 metra në kushte normale moti.
Niveli i lejuar i alkoolit në gjak është 0.5 ‰ në zona urbane dhe në korsitë e biçikletave; përndryshe, përdorimi i alkoolit është i ndaluar. Nuk kërkohet sigurim për monopatinë elektrik. Gjobat për shkelje variojnë nga 50 deri në 5,000 euro.
Konkluzion
Ky vlerësim i përmbledhur i rregullave tregon se, pavarësisht disa dallimeve specifike mes vendeve, ka një tendencë të qartë drejt rregullimit dhe kontrollit të përdorimit të monopatinëve elektrikë, duke synuar sigurinë e përdoruesve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Kjo ndihmon në harmonizimin e standardeve dhe në parandalimin e incidenteve, duke e bërë përdorimin e monopatinave një mënyrë më të sigurt dhe më të përgjegjshme të lëvizjes urbane.