Gjatë vitit 2025, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shënuar një rritje prej 10.54%, krahasuar me vitin 2024. Vëllimi i primeve të shkruara bruto u rrit me 2,583,977 mijë lekë, duke arritur në 27,089,756 mijë lekë.
Numri total i kontratave arriti në 1,676,640, me një rritje prej 5.07% në raport me një vit më parë.
Veprimtaria e sigurimeve Jo-Jetë vijoi të mbetet segmenti dominues i tregut, me prime bruto në vlerën 24,647,706 mijë lekë, ose 9.91% më shumë se në vitin 2024. Numri i kontratave në këtë segment kapi shifrën 1,490,784, duke shënuar një rritje prej 3.32%.
Ndërkohë, sigurimet e Jetës shënuan rritje më të lartë relative. Vëllimi i primeve të shkruara bruto arriti në 2,435,255 mijë lekë, me një rritje prej 17.62% krahasuar me vitin 2024, ndërsa numri i kontratave u rrit me 21.67%, duke arritur në 185,833 kontrata.
Gjatë vitit 2025 janë paguar gjithsej 8,590,751 mijë lekë dëme, ose 0.75% më pak se në vitin 2024. Numri i dëmeve të paguara u rrit me 2,514 raste, duke arritur në 75,996 dëme, nga të cilat 72,538 janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, 3,457 nga shoqëritë e sigurimit të Jetës dhe 1 nga shoqëri risigurimi.




