28.5 C
Tirana
Saturday, August 16, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRaporti: Për herë të parë bien primet e sigurimeve kibernetike

Raporti: Për herë të parë bien primet e sigurimeve kibernetike

Rënia e vitit të kaluar në primet e mbledhura nga siguracionet kibernetike përfaqëson uljen e parë që nga koha kur Shoqata Kombëtare e Komisionerëve të Sigurimeve në SHBA (NAIC) nisi mbledhjen e të dhënave në vitin 2015.

Kjo e dhënë del nga një raport i fundit i AM Best.

Sipas agjencisë së vlerësimit të kreditit, kjo rënie u shkaktua më shumë nga ndryshimet në çmime sesa nga ndonjë ndryshim në nivelin e ekspozimit ndaj rrezikut.

Çmimet e sigurimeve kibernetike ranë me 1.6% mesatarisht, në tremujorin e dytë, të tretë dhe të katërt të vitit 2024.

Rënia e çmimeve mësohet nga të dhënat e Këshillit të Agjentëve dhe Brokerëve të Sigurimeve, të cilat citohen nga AM Best.

Raporti i AM Best bën me dije se nëse ulja e primeve është afër uljes së çmimeve, kjo tregon se kërkesa për sigurim kibernetik ka mbetur e qëndrueshme.

Një tjetër shpjegim i mundshëm që shtohet nga AM BEST është se disa biznese të mëdha mund të kenë krijuar kompani sigurimi bijë (të ashtuquajtura “captive”) për të menaxhuar vetë rrezikun e tyre kibernetik.

Kjo është një praktikë e njohur si vetësigurim.

Kompanitë që përdorin këtë formë vetësigurimi nuk raportojnë të dhëna në NAIC, çka mund të ndikojë në statistikat që tregojnë rënie të primeve.

Organizatat që kanë higjienë të fortë kibernetike dhe një histori të mirë humbjesh, po gjejnë më të leverdishme të paguajnë kompaninë e tyre captive, duke mbajtur paratë brenda të njëjtit grup prind, dhe në këtë mënyrë të përfitojnë vetë nga përvoja e tyre pozitive, shpjegon raporti.

Pesë siguruesit më të mëdhenj të sigurimit kibernetik sipas primeve vjetore nuk ndryshuan në vitin 2024 në krahasim me një vit më parë: Chubb mbajti vendin e parë, Fairfax Financial ruajti vendin e tretë dhe Travelers Group u ngjit nga vendi i katërt në të dytin. The Hartford, Erie dhe Berkshire Hathaway kishin numrin më të madh të policave.

Rreziku i palëve të treta përfaqëson një sfidë serioze në rritje në tregun e sigurimeve kibernetike, sipas AM Best, pasi kompanitë që varen nga një rrjet kompleks furnitorësh dhe partnerësh të jashtëm, përballen me rreziqe të ndryshme dhe të vështira për t’u menaxhuar.

Këto kompani mund të kenë vështirësi të marrin dëmshpërblim nga siguracioni në rast humbjesh të shkaktuara nga partnerët e tyre, pjesërisht sepse mund të kenë frikë se do të dëmtojnë marrëdhëniet me ta.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat