Një qytetar nga Tirana i është drejtuar emisionit “Stop” në Tv Klan për të denoncuar dy avokatët Ndue Gjelaj dhe Miranda Sinanaj, pasi i mbajnë peng dosjen.
E gjithë historia ka nisur në vitin 2021, kur qytetari i mori ata si përfaqësues ligjorë për rastin e një aksidenti.
Ai doli i pafajshëm nga prokuroria dhe çështja nuk shkoi fare në gjykatë. Për këtë mbrojtje ligjore, avokatët kërkuan 20% të shumës që do të merrej.
Nga aksidenti qytetari mori rreth 2 milionë Lekë të vjetra dhe 8 milionë të tjera të vjetra nga kompania për sigurimin e shëndetit.
Por tani avokatët kërkojnë 3 mijë Euro. Në fillim kishin kërkuar 20% të shumës, pastaj e bënë 50%, gjë që nuk është firmosur nga denoncuesi.
“Jam një qytetar nga Tirana. Denoncoj veprimet e dy avokatëve Ndue Gjelaj dhe Miranda Sinanaj, pasi më mbajnë dosjen peng. E gjithë historia fillon në datën 5.6.2021 kur unë i kam marrë për përfaqësim ligjor me anë të një prokure për rastin e një aksidenti rrugor të ndodhur në datën 4.5.2021 dhe unë rezultova i pafajshëm. Më kanë përfaqësuar dy herë në Prokurori, sepse çështja nuk kishte nevojë të shkonte në gjykatë. Nuk kisha bërë asnjë kontratë, vetëm kisha rënë dakord në fund të përfaqësimit 20% të shumës që ta marri avokati vetëm gojarisht e pashkruar në kontratë. Kam tërhequr dëmshpërblimin nga kompania e sigurimeve për vlerën e mjetit 1 milionë e 950 mijë Lekë të vjetra. Ata më kërkuan 3 mijë Euro. Kisha edhe siguracionin shëndetësor. Për shkak të dëmtimeve jam paguar në vlerën 8 milionë Lekë të vjetra. Më kërkuan për të shkuar për të bërë para noterit një kontratë noteriale. Me gojë më thanë 20%, pastaj kur shkova te noteri ishte 50%. Edhe nuk e firmosa. Unë nuk isha dakord për këtë vlerë”, është shprehur denoncuesi.
Por tani avokati nuk i dorëzon dosjen qytetarit. Në këto kushte avokati kishte bërë padi në Gjykatën e Shkallës së Parë Kurbin dhe e humbi gjyqin, por pas dy javësh bën sërish padi.
Në një komunikim me gazetaren e “Stop”, avokati Ndue Gjelaj shprehet se do paratë pasi aq e ka pazarin dhe se nuk ka ndërmend ta dorëzojë.
Avokati Ndue Gjelaj: Unë, aq m’kushton shërbimi mu! Edhe kam pre faturën dhe ia kam deklaru tatimeve. Kaq! S’ka nevojë të kem kontratë! Kaq m’kushton mu shërbimi.
Video e plotë e “Stop”
Avokatët, përfituesit më të mëdhenj nga dëmet shëndetësore
Sot në në sistemin tonë gjyqësor ndodhen me qindra çështje të hapura nga kompanitë e sigurimeve. Të gjitha këto çështje janë mbi dëmet shëndetësore duke përfshirë: vdekje, plagosje të lehta apo të rënda, dëme të qenësishme apo morale etj.
Vlerat monetare për këto lloje dëmesh janë të mirëpërcaktuara në Rregulloret ekzistuese nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe në Vendimet unifikuese në gjykatë.
Por cili është realiteti sot dhe çfarë po ndodh me të vërtetë?
Dëmet shëndetësore janë kthyer gjithnjë edhe më shumë në nje mundësi për gjueti mjeshtërore nga ana e avokatëve.
Fillimisht, avokatët i ‘peshkojnë’ klientët e tyre në Spitalin e Traumës apo pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i njohur shkurt si “Morgu i Tiranës”, ku këta avoketër ‘kapin rastin’ dhe hidhen në sulm duke bërë premtime të menjëhershme. Ata trumbetojnë se ‘gjoja’ kompanitë e sigurimit nuk paguajnë dhe se ata, pra këta avokatë, i detyrojnë kompanitë që të paguajnë. Një prokurë e posaçme dhe e menjëhershme për shkak të gjendjes së vështirë ku mund të ndodhen klientët krijon një nyje lidhëse nëpërmjet së cilës mbërthehet viktima e rradhës. Nëpërmjet prokurës bllokohet pasuria, shtëpia, biznesi apo çfarëdolloj aseti tjetër që familja mund të ketë dhe këtu fillon kalvari që mund të zgjasë nga 2 deri në 5 vjet.
Në këtë mënyrë, klientët humbasin mundësinë që t’i drejtohen drejtpërdrejtë kompanive të sigurimit për të marrë dëmshpërblimin e tyre dhe se gjykata është e detyruar me ligj që të zbatojë të gjithë kuadrin rregullator dhe legjislacionin në fuqi ku specifikohen të gjitha rastet dhe vlerat e tyre përkatëse të kompanesimit që janë të detyrueshme për të gjitha kompanitë e sigurimit në çdo kohë.
Nga ana tjetër, kompanitë e sigurimit kanë marrë të gjitha masat për të pasur në dispozicion të tyre krijimin dhe mbajtjen të disponueshme të fondeve rezervë të cilat janë specifikisht të dizenjuara për t’u ardhur menjëherë në ndihmë klientëve të dëmtuar të këtyre kompanive.
Por këta avoketër e kanë përsosur aq shumë këtë ‘mbrojtje izoluese’ deri në atë masë sa kompanitë e sigurimit nuk kanë madje as të drejtën që të komunikojnë me klientin(ët) e tyre për rastin konkret, të kërkosh një takim ballë për ballë me ta dhe që të mund t’i ofrojmë atë vlerë pagese që është faza përmbyllëse e detyrimeve tona kontraktuale me klientët tanë. Ky qark i mbyllur abuziv shpesh degjeneron deri në sulme brutale nga ana e këtyre avokatëve ndaj kompanisë së sigurimeve pasi që sipas tyre ne nuk duhet në asnjë mënyrë të komunikojmë me klienin(ët) e tyre.
Po kush dëmtohet në këtë rast?
Viktima e drejtpërdrejtë është klienti. Në këtë rast, ata goditen dy herë, herën e parë, nga ngjarja aksidentale që i ka ndodhur, dhe hera e dytë, duke mbetur peng i procedurave të administrimit abuziv nga ana e avokatëve të cilët në çdo rast kanë treguar se ‘mund t’i përthyejnë ligjet dhe mbrojtjen’ në përfitim të tyren dhe jo të klientëve që përfaqësojnë ose që ‘pretendojnë’ se përfaqësojnë duke i robëruar ata nga të drejtat e tyre me ligj.
Një situatë e tillë përbën dhe ka krijuar një shqetësim të madh, në rradhë të parë, për klientin i cili nuk dëmshpërblehet, dhe së dyti, për kompanitë e sigurimi duke mos i lejuar që të zbatojnë detyrimet kontraktuale me klientin(ët) tanë, si edhe duke ndikuar shpesh herë në krijimin e një imazhi të gabuar dhe jo të mirë.
Ndërkohë që, këta avoketër ‘notojnë’ me paratë e viktimave të aksidenteve.
Çfarë duhet të bëjmë në raste të tilla?
Drejtohuni menjëherë te kompania e sigurimit me të cilën keni një kontratë. Shmangni avoketërit dhe sekserët e tjerë që thjesht tentojnë tu mashtrojnë dhe të zhvasin nga paratë që ju takojnë konform ligjeve në fuqi.