Kompanitë e sigurimeve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar një rritje në primet e shkruara bruto çka është reflektuar edhe në rritjen e dëmshpërblimeve.
Sipas të dhënave nga ASO (Agjencia e Mbikqyrjes Financiare), pesha e sigurimit MTPL (sigurimi i detyrueshëm për makinat) është ulur me gati 4 pikë përqindjeje, ndërsa lajmi i mirë vjen nga segmenti i sigurimit të pronës, i cili u rrit me 36% duke arritur në 13.53 milionë euro.
Mësimet e nxjerra nga prania gjithnjë në rritje e ngjarjeve ekstreme të motit kanë filluar të rrisin ndërgjegjësimin tek qytetarët dhe bizneset, shkruan “Xprimm“.
Ndryshimet klimatike po i bëjnë ngjarjet ekstreme të motit më të shpeshta dhe më të dhunshme në çdo skaj të botës, duke i kthyer në një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe pasuritë e tyre.
Sipas ‘Munich Re’, humbjet globale në gjysmën e parë 2024, si pasojë e katastrofave natyrore, arritën në 120 miliardë dollarë. Këto humbje tejkaluan qartë vlerat mesatare për 30 vitet e mëparshme.
68% e humbjeve totale dhe 76% e humbjeve të siguruara u shkaktuan nga fatkeqësi si stuhi, përmbytje dhe zjarre.
Dhe mesa duket, ndryshe nga shqiptarët, qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë nisur të kuptojnë rrezikun që na kanoset çdo ditë.