Shoqata Britanike e Ndërmjetësve të Sigurimeve (BIBA) i ka bërë thirrje Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të rishikojë kuadrin rregullator, që e cilëson si shumë të ndërlikuar dhe ngarkues për ndërmjetësit e sigurimeve.
Në një letër drejtuar Kryeministrit përpara fjalimit të përvitshëm në Mansion House, drejtori ekzekutiv i BIBA-s, Grejm Trudxhill, kërkoi një rregullim në nivel “klasi botëror” për të reflektuar rëndësinë e tregut të sigurimeve në Britani.
Ai theksoi se kuadri aktual i Autoritetit të Sjelljes Financiare (FCA) po pengon hyrjen e aktorëve të rinj në treg dhe po rëndon veçanërisht mbi firmat e vogla.
BIBA paralajmëroi për një rënie të ndjeshme në regjistrimet e reja të ndërmjetësve të sigurimeve, duke përmendur të dhënat e FCA-së që tregojnë vetëm dy licencime të reja në tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa disa kompani ekzistuese janë larguar nga tregu.
Shoqata kërkoi reforma që thjeshtojnë rregullat, ulin ngarkesat raportuese dhe heqin pengesat e panevojshme për përputhshmëri, duke theksuar se ndërmjetësit kontribuojnë rreth 100 miliardë paund në ekonominë britanike dhe punësojnë mbi 100 mijë persona.
Letra i bën thirrje Kryeministrit të ndërtojë mbi konsultimin e fundit të FCA-së për thjeshtimin e rregullimit dhe të sigurojë që mbikëqyrësi të ndihmojë rritjen ekonomike, përmes një qasjeje më bashkëpunuese me industrinë dhe shoqatat tregtare.