Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme propozimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Sipas vendimit, Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për këtë detyrë kandidaturën e Mimoza Kaçit, që aktualisht mban detyrën e Nëndrejtorit Ekzekutiv të institucionit.
Znj.Kaçi propozohet të emërohet në funksionin e drejtorit të Pëgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit, për periudhën e mbetur të mandatit si anëtare e Bordit.
Duke qenë se Mimoza Kaçi është emëruar si anëtare e Bordit në tetor 2020, mandati i saj 5-vjeçar përfundin në tetor 2025 dhe përgjatë kësaj periudhe ajo do të mbajë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Vendi i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ngeli vakant në muajin shtator, pasi Ervin Mete u lirua nga detyra për tu emëruar në vijim si Ministër i Financave dhe Ekonomisë. Gjatë kësaj periudhe, Mimoza Kaçi ka ushtruar funksionet e Drejtorit të Përgjithshëm.
Gara ishte shpallur fillimisht më datë 20 shtator dhe afati për dorëzimin e aplikimeve kishte qenë deri më datë 29 shtator.
Lista e kandidatëve që aplikuan në shpalljen e parë të procesit konkurrues nuk është publikuar zyrtarisht, por sipas burimeve nga tregu në proces aplikuan Pajtim Melani, Redi Lleshi, Armand Reveli dhe Petrit Perhati. Por, në muajin tetor, Kryeministria e rihapi procesin, duke vendosur si afat të ri datën 23 tetor të këtij viti.
Megjithëse hapi dy herë garën, Këshilli i Ministrave nuk ka propozuar një kandidat të ri, por ka vendosur që mandati i Ervin Metes të përfundohet nga nëndrejtorja aktuale, Mimoza Kaçi.