Ngjarja e zjarrit në rastin e ish-Uzinë Dinamos ishte një goditje e rëndë për dhjetra biznese, por edhe një shembull ilustrues se pse jo të gjitha pronat nuk mund të merren në sigurim të menjëhershëm.
Së pari, duhet thënë qartë: sigurimi nuk është bamirësi, por menaxhim risku.
Kompanitë e sigurimit paguajnë dëmet kur rreziku është i kontrolluar dhe i shpërndarë: jo kur është i përqendruar dhe pothuajse i sigurt.
Në atë treg, si në shumë tregje të ngjashme, kishte dhe ka ende disa probleme serioze:
-
Dyqane ngjitur, pa ndarje kundër zjarrit. Një zjarr në një pikë, përfshin gjithë tregun me siguri.
-
Mallra me rrezik të lartë zjarri (tekstile, materiale sintetike), të magazinuara dendur dhe pa kushte të izolimit të përhapjes.
-
Mungesë sistemesh bazë mbrojtjeje: pa sprinklera automatike, pa alarm zjarri të certifikuar, pa depozitë uji dhe pompa presioni për ndërhyrje amortizuese dhe minimizuese në kohën e duhur.
-
Instalime elektrike të improvizuara dhe ngrohje me rezistencë, burime të zakonshme ndezjeje dhe me risk të lartë.
-
Hapësira të ngushta, që vështirësojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe evakuimet..
Kur të gjithë këta faktorë bashkohen, probabiliteti i humbjes totale bëhet shumë i lartë.
Në sigurim ekziston një parim i thjeshtë: rreziku duhet të jetë i paparashikueshëm dhe i shpërndarë.
Në këtë rast ishte i përqendruar dhe potencialisht katastrofik.
Edhe risiguruesit ndërkombëtarë nuk e pranojnë një risk të tillë pa masa mbrojtëse. Nëse do të sigurohej në këto kushte, primi do të ishte i papërballueshëm dhe gati-gati jologjik për tregun, nga ana tjetër, pavarësisht primit të lartë, do të ishte alogjike edhe për riskmarrësit, sepse do të rrezikohej stabiliteti i vetë kompanisë
Siguruesit nuk refuzojnë bizneset, por riskun e pakontrolluar.
Kështu që, ajo që duhet thënë është se prona të tilla nuk refuzohen nga siguruesit, por ato thuajse kushtëzohen. Sigurimi i menjëhershëm është ai që refuzohet, jo sigurimi si koncept.
Si mund të merret edhe një treg i tillë në sigurim, cilat janë kushtet?
Kjo kërkon investime në disa drejtime:
-
investime për ndarje rezistente ndaj zjarrit, parcelizim të sigurt repartesh
-
sistem sprinkleri dhe alarm i certifikuar,
-
depozitë uji dhe pompa presioni,
-
kontroll dhe certifikim i instalimeve elektrike,
-
standarde urbane sigurie për tregjet kolektive
- plan ndërhyrës të mirëmenduar në rast nevoje të ndërhyrjes së jashtme të shërbimit zjarrfikës, shpesh as infrastruktura urbane përreth nuk ta lejon sepse urbanizimi në atë zonë mund të jetë keqkonceptuar që në zanafillë
Nëse këto masa vendosen, tregu i sigurimeve është i gatshëm të ofrojë mbrojtje financiare për biznese të ngjashme.
Sigurimi funksionon kur rreziku menaxhohet. Kur ka standarde, ka edhe siguri.




