Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF), përmes një projektrregulloreje të re që është hedhur për konsultim publik, përcakton për shoqëritë administruese dhe përfituesit e fondeve të pensioneve private, kushte të reja për tërheqjen dhe përdorimin e pagesës së pensioneve.
Projektrregullorja në fjalë rregullon mënyrën, afatet dhe procedurën e pagesës së pensionit privat.
Sipas saj, pensioni privat mund të tërhiqet si një pagesë e menjëhershme ose si një pagesë periodike mujore. Gjithashtu, vlera neto e shumës së parave mund të përdoret për blerjen e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “anuiteti”, te një shoqëri sigurimi jete.
Në projektrregullore parashikohet marrja e pagesave të vazhdueshme mujore në formë pensioni të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet.
Ndërkohë që shoqëria administruese e fondit të pensionit privat duhet të njoftojë anëtarin brenda 5 ditëve pune nga dita e mbushjes së moshës për marrjen e pensionit.
Në çdo rast, anëtari i fondit të pensionit privat duhet të paraqesë një kërkesë te shoqëria administruese për marrjen e pagesës së menjëhershme si një shumë të vetme ose në disa shuma dhe periudha të barabarta apo të ndryshme, deri në shterimin e plotë të llogarisë.
Shoqëria administruese detyrohet t’i paguajë penalitet në formë interesi anëtarit të fondit të pensionit, në rastin e vonesave në pagimin e shumave të menjëhershme apo të pagesave periodike. Shuma e interesit të pagueshëm tek anëtari i fondit për çdo pagesë të vonuar llogaritet duke marrë parasysh çdo ditë vonesë dhe shumën e pagesës së vonuar.
Për sa i përket trashëgimisë së aktiveve, tashmë në rregulloren e re përcaktohet qartë që paratë e mbetura në llogarinë e pensionistit pas vdekjes së tij, mund të trashëgohen te familjarët.
LEXO EDHE: “Pensionet Private, Pensionet e së Ardhmes“