15.5 C
Tirana
Friday, October 18, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet'Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave', Hajdarmataj: Nuk është shpikje apo...

‘Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave’, Hajdarmataj: Nuk është shpikje apo gjetje e Shqipërisë. Aplikohet nga shumë vende në botë

Përmes disa ndryshimeve në ligjin “Për Mbrojtjen Civile”, të hedhura në konsultim publik, qeveria heq përgjegjësinë nga vetja për t’u përgjigjur për dëmet e shkaktuara në raste të fatkeqësive natyrore.
Ndryshe nga rasti i tërmetit të vitit 2019, kur qeveria mori përsipër ndërtimin e banesave të reja për qytetarët e prekur, me ndryshimet e reja, shteti jep ndihmë financiare, por nuk mbulon të gjitha kostot.
Kjo ndërhyrje në ligj bëhet për të shtyrë më tej sigurimin e detyrueshëm të banesave, i cili në mënyrë vullnetare është në shifra të pakënaqshme.
Në një intervistë për “Vizion Plus”, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, znj.Mimoza Hajdarmataj, shprehet ndër të tjera se, formula e sigurimit të detyruar nuk është shpikje apo gjetje e Shqipërisë pasi janë të shumta vendet në botë që e kanë kthyer sigurimin e pronës në të detyrueshëm.
Sipas Hajdarmataj, qytetari duke qenë i siguruar ndaj një primi të përballueshëm, ai është i mbrojtur dhe mund të marrë dëmshpërblimin financiar ndaj asaj që ka siguruar.

A është i nevojshëm sigurimi i detyrueshëm i banesave, në kushtet kur shteti, në rastet e fatkeqësive natyrore, nuk mbulon 100% të kostove për individët?

Hajdarmataj: Patjetër. Duke parë që Shqipëria është një prej vendeve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore, përfshirë këtu edhe tërmetet, Sigurimi i Pasurisë në përgjithësi është një element i rëndësishëm për çdo qytetar.

Ne kemi rastin e tërmeteve të vitit 2019 ku dëmet materiale, përpos atyre në njerëz, ishin shumë të mëdha. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë dy raste zjarri në Shkodër dhe Kukës lanë pas dëme të konsiderueshme në prona, të cilat nëse nuk kanë qenë të siguruara duhet të paguhen nga vetë qytetarët.

Pra, në një botë ku rreziqet janë të përditshme dhe më të shpeshta, Sigurimi i Banesës është një domosdosshmëri, e cila jo vetëm mbron financat e qytetarit por i dhuron atij qetësi mendore dhe dinjitet. 

Pse dinjitet? Sepse një qytetar i siguruar, në rast dëmi në banesën e tij, nuk ka nevojë të trokasë dyerve të institucioneve shtetërore për të kërkuar ndihmë por paraqitet pranë kompanisë së sigurimit ku është i siguruar dhe për çdo dëm kompensohet konform kontratës që ai ka nënshkruar.

Si duhet të kryhet sigurimi i banesave sipas jush?

HajdarmatajShoqata e Siguruesve të Shqipërisë e ka thënë fjalën e saj që në momentet e para kur u hodh për konsultim publik projektligji i qeverisë. Por për shkak të disa problematikave që mbarte, u vendos të rishikohej sërish. Rishikime të cilat, komuniteti i siguruesve, i përshëndet!

Vënia në jetë e një skeme, e cila nuk përjashton kompanitë e sigurimeve, është jo vetëm hapi i duhur por ndihmon buxhetin e shtetit që paratë që do duhej të paguante dëmet e shkaktuara në banesa, ti përdorë në të mirë të publikes.

Ky rishikim nuk cënon lirinë ekonomike të shoqërive të sigurimit dhe nuk anashkalon kornizën ligjore të rregullimit të tregut të sigurimeve, parashikuar nga ligji nr.52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe ri sigurimit”.   Ky është një reflektim i qeverisë që duhet përshëndetur.

Sa i përket detajeve sesi do të bëhet ky sigurim, konsultimet vazhdojnë, por ajo që mund të themi se primi i sigurimit do të jetë i përballueshëm nga çdo shtresë e shoqërisë.

A kemi shifra për qytetarët që kanë zgjedhur të sigurojnë pronën në mënyrë vullnetare?

Hajdarmataj: Pavarësisht rreziqeve të shtuara dhe ashpërsisë së tyre si dhe kostos minimaliste që ka sigurimi i shtëpisë, sërish nuk kemio një reflektim, duke na renditur në vendet e fundit për shpenzime për frymë.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Sigurimi vullnetar i pasurive të paluajtshme po njeh rritje vit pas viti por mbetet ende në shifra të ulta.

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2023 arritën rreth 8,917 milionë lekë, 12.03% më shumë se në  vitin 2022.

Si do të ishte reagimi i qytetarëve nëse sigurimi do të bëhet i detyrueshëm?

Hajdaramtaj: Me thënë të drejtën, termi “i detyrueshëm” na tremb disi.

Por ky hap i ndërmarrë duhet të shikohet me pozitivitet nga qytetarët. Pa harruar faktin që, edhe shtete të tjera e zbatojnë prej vitesh tashmë.

Të jesh i siguruar nga ngjarje madhore si tërmeti, i cili le pas dëme të mëdha materiale, është një ndihmesë e madhe për çdo qytetar.

Një shpenzim minimal vjdetor në sigurimin e pronës nuk është vetëm një veprim i mençur financiar, por duhet parë nga qytetarët si një shenjë e kujdesit dhe respektit ndaj vetes dhe të tjerëve.

Duke patur një policë Sigurimi ne bëhemi qytetarë të pavarur dhe me dinjitet, pa patur nevojë të trokasim të kërkojmë lëmoshë apo të presim disa vite për rikuperimin e dëmit.

Më lejoni ti rikujtoj se, Industria e sigurimeve në Shqipëri, liberalizuar që prej vitit 1996 dhe që mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, tashmë është në një stad të konsoliduar. Qytetarët janë tashmë të familjarizuar prej vitesh me një treg sigurimi privat. Shoqëritë e sigurimeve kanë paguar rreth 40 milion euro dëme të shkaktuara nga Tërmetet e vitit 2019, çka është një tregues i kapacitetit dhe qëndrueshmërisë financiare të shoqërive të sigurimeve që operojnë në treg.

Intervista e plotë:
spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat