Në SHBA pritet rritja e primit të sigurimit të shtëpive. Insurify, një faqe amerikane në internet, e specializuar për të krahasuar politikat e sigurimit në shtete të ndryshme për pronarët e shtëpive, ka njoftuar lexuesit e saj se brenda vitit pronarët e shtëpive duhet të presin rritjen e tarifave të sigurimeve.
Zjarret në Los Anxheles në muajin janar, stuhitë e rënda të javës së kaluar të shoqëruara me përmbytje dhe tornado në Miduest, moti ekstrem në disa zona të SHBA-ve, kryesisht në disa zona të thata si dhe tarifat e larta të vendosura së fundmi e mbështesin këtë skenar.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kostoja mesatare vjetore e sigurimit të shtëpisë do të rritet me 8% në nivel kombëtar deri në fund të vitit. Në terma konkretë, vlera do të arrijë në 3,520 dollarë për një shtëpi me vlerë 400,000 dollarë sipas Insurify.
Sipas të njëjtit uebsajt, disa shtete do të shohin rritje edhe me dy shifra, Luiziana, Ajova dhe Minesota. Llogaritja e rritjes ishte bërë përpara tarifave të reja doganore. Këto tarifa do të rrisin koston e materialeve të ndërtimit. Rritja e kostos së ndërtimit rrit kostot e riparimeve dhe mbulimit të dëmeve nga kompanitë siguruese, siç raportonte faqja në fjalë.
Florida ka sigurimin më të shtrenjtë të shtëpive në vend, e megjithatë trendi rritës është i atillë sa edhe Florida pritet të ketë një rritje me 9% krahasuar me vitin paraardhës.