Në vigjilje të Forumit Ekonomik Shqipëri-Japoni, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni, e kryesuar nga Avni Ponari, sapo është kthyer nga një vizitë e dytë zyrtare e zhvilluar përgjatë datave 10 deri më 14 nëntor në Japoni, aty ku patën takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve dhe botës së biznesit japonez.
Lidhur me këtë vizitë 1-javore ditën e djeshme z. Ponari u pyet për Ora News.
Z.Ponari u shpreh optimist se në të ardhmen Japonia do të jetë edhe më shumë prezente në ekonominë shqiptare:
“A është e mundur, që Japonia të jetë më shumë prezente në Shqipëri? Padyshim që po. Japonezët janë shumë të interesuar për produkte bio dhe për produkte vendase, janë vlerësues të atyre produkteve të cilat kanë vlera…Kjo tregon që Japonia ka dëshirën e mirë për të qenë prezente në Shqipëri dhe ky është një sinjal shumë i mirë, ndoshta është një nga sinjalet më të mira, e veçanta ishte se ata ishin të mirëinformuar, që Shqipëria është në hapa drejt Bashkimit Evropian dhe kjo Shqipërinë do ta bëjë shumë më të rëndësishme në tregje botërore”
Agjenda thuajse njëjavore ishte e mbushur me takime të niveleve shumë të larta: z. Ken Kobajashi, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Japoneze; zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Byrosë për Çështjet e Evropës në Ministrinë e Jashtme të Japonisë dhe njëherësh ambassador i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor; drejtori i Federatës së Biznesit Japonez- Keidanren, z. Ishiro Hara; me z. Susumi, drejtor I XHETRO-s , Organizatës së Tregtisë së Jashtme në Japoni dhe me drejtorin për Evropën dhe Lindjen e Mesme të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit ndërkombëtar, Kei Tojama dhe me grupin e miqësisë Shqipëri-Japoni.
Z. Ponari nuk përjashtoi as mundësitë që biznese shqiptare të investojnë në tregun japonez
“Japonia aq e madhe sa është, aq edhe është e thjeshtë në të bërit biznes. Është shumë fleksibël. Ne kemi potenciale shqiptare të cilat mund të jenë prezent atje, për shembull ne kemi minerale dhe këtë e prezantuam, ne kemi burime, bimë medicinale të cilat sot eksportohen në të gjithë botën dhe pse jo edhe në Japoni”
Z. Ponari theksoi se shëndoshja e mëtejshme dhe shtimi i iniciativave mbështetëse për biznesin në vend është ajo që do të ndërtonte një urë të qëndrueshme bashkëpunimi me tregjet japoneze: “ sepse japonezët e kanë të shenjtë mbështetjen te biznesi dhe biznesmenët për të ecur përpara. Ata në fund të fundit janë krijuesit, ideatorët, ata janë njerëzit inovatorë që prodhojnë ide, që rrisin të ardhurat, që rrisin fuqinë punëtore dhe që ndërtojnë një ekonomi që është normale dhe një ekonomi tregu”
Z. Ponari e konsideroi me shumë vlerë edhe Forumin e Parë Ekonomik Shqipëri-Japoni që AIDA dhe JETRO organizojne bashkerisht.




