Intervistë për “Monitor” e Elvis Ponari, Administrator i Përgjithshëm i Sigal Uniqa Fond Pensioni
Rritja e skemave private të pensioneve ka nevojë për incentiva më të forta.
Elvis Ponari, Administrator i Sigal Uniqa Fond Pensioni, thotë për “Monitor” se, që këto fonde të jenë të qëndrueshme, duhet që 20% e forcave aktive të punës të përfshihen në skemën private të pensioneve dhe që kjo skemë të jetë ndikuese, duhet të përfshihen në të 50% e forcave aktive të punës.
Aktualisht, ky tregues në Shqipëri është 2.5%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka arritur në afërsisht 70%.
Ai mendon se e vetmja zgjidhje afatgjatë për problemin e pensioneve në Shqipëri do të jetë ngritja e një kolone të dytë të pensioneve private të detyrueshme dhe incentivimi sa më i madh i kolonës së tretë vullnetare.
MONITOR: Si e vlerësoni ecurinë e fondeve private të pensionit në vitin 2022 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore në këtë segment të tregut?
PONARI: Në Shqipëri ka 4 fonde pensioni, aktive në treg që prej vitit 2005. Dua ta theksoj, është një skemë sociale, që e ka krijuar shteti dhe e administron privati. Kemi dy banka dhe dy kompani sigurimi të fuqishme që kanë përgjegjësinë e miradministrimit të aseteve të qytetarëve.
Tregu i pensioneve private po rritet me ritme të qëndrueshme në vitet e fundit. Edhe për vitin 2022 janë ruajtur po këto ritme, por përmasat e tij mbeten modeste, kur i krahasojmë edhe me vendet fqinjë.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vlera neto e aseteve të tregut të Pensioneve Vullnetare në fund të vitit 2022 arriti në rreth 5.7 miliardë lekë, ose rreth 49 milionë euro, me rritje 24.3% në krahasim me vitin 2021.
Sot që flasim, Maqedonia e Veriut ka 3 fonde pensioni privat, me 1.7 miliardë euro asete dhe 600.000 anëtarë.
Shteti e ka nxitur pensionin privat, pasi theksoj është skemë sociale, e ka plotësuar reformën e pensionit, duke i mundësuar qytetarit maqedonas që kur të dalë në pension, të marrë 3 pensione apo 3 paga dhe jo vetëm. Pra, të paktën të jetë te 60-80% e pagës para pensionit.
Numri i anëtarëve në Fondet e Pensioneve Vullnetare arriti në 36.518, ose rreth 8.8% më shumë se viti 2021. Në një vit punë kanë hyrë në skemë rreth 3.000 anëtarë apo klientë. 1.300 i ka sjellë vetëm SIGAL UNIQA FOND PENSIONI. Kjo shifër është e turpshme.
Shpresojmë se me projektligjin e ri, pra, me përmirësimin e ligjit në fuqi, do kemi më shumë lehtësi.
Kemi pasur numrin më të lartë të anëtarësimeve nga planet e pensioneve profesionale të subjekteve, që kanë rritje 14.2%. Biznesi e ka parë edhe më me interes pensionin privat, si një incentivë që t’i hapë një llogari punëmarrësit të tij. Pagën e ka për sot, pensionin e ka për mot.
Pjesëmarrja në Fondet e Pensioneve Vullnetare është 2.4% e forcave aktive të punës. Që këto fonde të jenë të qëndrueshme duhet që 20% e forcave aktive të punës të përfshihen në skemën private të pensioneve dhe që kjo skemë të jetë ndikuese, duhet që të përfshihen në të 50% e forcave aktive të punës, ose 350.000 kontribuues që paguajnë rregullisht.
Në Maqedoninë e Veriut është 70%. Për të arritur këtë, në vitin 2022 kemi punuar fuqishëm nëpërmjet marketingut, që çdo qytetar të njohë pensionet private dhe përparësitë që ka pjesëmarrja në këtë skemë. Krahas kësaj, kërkohet edhe një mbështetje nga shteti, sidomos në përmirësimin e legjislacionit aktual të pensioneve private.
MONITOR: Kuvendi po diskuton ligjin e ri për fondet private të pensioneve. Cili është opinioni juaj rreth ligjit të ri që po diskutohet dhe çfarë efektesh prisni t’i japë zhvillimit të tregut të pensioneve private?
PONARI: Projektligji pritet të sjellë një seri ndryshimesh. Nga statistikat e marra vërehet se vetëm një numër i vogël qytetarësh derdhin kontribute vullnetare, për të përfituar një pension privat shtesë.
Mungesa e kulturës në sigurime, shoqëruar me nivelin e ulët ekonomik, ka bërë që kontributi për moshën e pensioneve të shihet si i papërballueshëm nga vetë qytetarët.
Argumenti bazë se pse po bëhen këto ndryshime lidhet me nxitjen dhe zgjerimin e këtij tregu, por edhe me qartësimin e disa aspekteve të menaxhimit të fondeve. Projektligji është iniciuar dhe përgatitur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Së bashku me AMF, kemi propozuar përjashtimin nga taksat, si për kontributet e punëmarrësve, edhe për ato të punëdhënësve, ndërsa kërkohet që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi.
Për të nxitur investimet e punëmarrësve (por edhe të punëdhënësve të tyre) në fonde të pensioneve private, projektligji aktual parashikon lehtësi fiskale në formën e përjashtimit të kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni, zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi, përpara se të llogaritet tatimi mbi të ardhurat.
Shkurtimisht, e vlerësoj shumë këtë projektligj, që synon nxitjen e tregut. Ky projektligj është më i pranueshmi për kohën, sepse reflekton edhe praktikat që kanë dalë nga krijimi i tij.
Mendoj se është një projektligj që i bën më të interesuara palët pjesëmarrëse në një fond pensioni privat, nëpërmjet një sistemi fiskal të pranueshëm.
Është një projektligj më i azhurnuar edhe me dispozitat ndërkombëtare, që kanë dalë në këtë fushë. Nga pikëpamja strukturore, mendoj se është një ligj më i plotë.
Qëllimi i projektligjit të ri është dhe diversifikimi i politikës së investimeve, zgjerimi i kësaj fushe, si dhe lehtësitë fiskale në pjesën dalëse, pra, kur del në pension).
Sipas të dhënave të fundit, raporti kontribuues-përfitues është 1.15 me 1, në nivelet më minimale historike deri tani. Kjo e bën të domosdoshme forcimin e kolonës së tretë (pra, vullnetaren) por dhe krijimin e kolonave të dyta (të detyrueshme) private.
MONITOR: Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e fondeve të pensionit në vitin 2023? Si mund të ndikohet ky treg nga përkeqësimi i pritshëm i parametrave makroekonomikë dhe rritja e mëtejshme e normës bazë të interesit?
PONARI: Thellimi i deficitit të pensioneve kërkon prej vitesh një ndërhyrje të menjëhershme. Nevojiten ndërhyrje në sistemin e pensioneve dhe ofrimi i formave alternative midis sistemit shtetëror dhe atij privat, i cili do të gjeneronte pensione më të larta për qytetarët.
Në vitin 2023, edhe pse duket se do të shoqërohet me pasiguri e luhatje, Fondet e Pensioneve Private janë të qëndrueshme sa u përket treguesve kryesorë të “shëndetit financiar”.
Padyshim që rritja e normave të interesit është një lajm i mirë për anëtarët e fondeve private të pensioneve pasi kontributet dhe riinvestimi i interesit të fituar nga investimet aktuale do të investohen me norma më të larta interesi.
Mendojmë se me miratimin e ligjit të ri dhe me kalimin e situatave shoqërore dhe sociale që po kalon edhe vendi ynë, tregu do të zhvillohet më tej, do të rritet pjesëmarrja në këto skema.
Njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe të mendojnë për moshën e tretë, largimi nga vendi, emigrimi, apo mosinteresimi që të punosh për një pagë minimale sjell si pasojë stres te punonjësit që kemi aktualisht. Dhe për të pasur një pension të dytë, duhet të bëhen ligjet incentivuese.
Në këto kushte ka shumë rëndësi edhe puna e pandërprerë për njohjen e pensioneve private nga të gjithë.
Përkeqësimi i parametrave makroekonomikë dhe rritja e normës bazë të interesit ka ndikim edhe në tregun e Pensioneve Private, pasi ul mundësitë reale për të kontribuar në këto skema.
Nëse nuk do të kemi reforma nga shteti për rritjen e pagave në nivelin e inflacionit, do jetë shumë e vështirë që njerëzit të mendojnë të kursejnë për një pension të dytë.
LEXO EDHE: “Nevojiten incentiva”, Ponari: Pensionet private kërkojnë nxitje më të forta