Skenari 1:

Aktivitetet mbeten në nivelin aktual

Ky është skenari më konservator, ku nuk do të kryhen aktivitete shtesë krahasuar me periudhën e mëparshme.

Aktivitetet e palëve të interesit parashikohen të ulen për shkak të mungesës së burimeve dhe kufizimeve buxhetore.

Në këtë situatë, ulja e numrit të vdekjeve do të jetë graduale me rreth 5 raste më pak çdo vit, duke çuar në një reduktim prej 26% midis 2021 dhe 2030.

Në fund të dekadës, do të humbasin jetën 145 përdorues të rrugës, që i korrespondon 53 viktimave për 1 milion banorë.

Ky skenar shoqërohet edhe me rrezikun e periudhave me rritje të ndjeshme të aksidenteve, sidomos për shkak të shtimit të motorizimit dhe infrastrukturës.

Skenari 2: Masa të ndërmjetme dhe ndërhyrje të përditësuara

Në këtë skenar, autoritetet dhe palët e interesit do të vijojnë aktivitetet aktuale, por do të zbatojnë gjithashtu veprime shtesë, duke reaguar në kohë ndaj mangësive të identifikuara dhe duke vepruar në mënyrë më të koordinuar.

Ky ritëm i reformave përputhet me trendin mesatar të Bashkimit Evropian gjatë dekadës së kaluar.

Nëse zbatohet, Shqipëria do të arrijë një ulje prej 36% të numrit të vdekjeve në periudhën 2021-2030.

Kjo do të thotë që në vitin 2030 do të regjistrohen 125 viktima në rrugë, ose 46 viktima për 1 milion banorë.

Skenari 3: Zbatim i plotë i Strategjisë dhe Planit të Veprimit

Ky është skenari më ambicioz, i cili kërkon ndërhyrje të thella dhe sistemike në të pesë shtyllat e sigurisë rrugore, përfshirë edukimin, legjislacionin, infrastrukturën dhe kontrollin rigoroz të trafikut.

Përveç forcimit të ligjit dhe dënimeve më të rënda për shkelësit, pritet të zhvillohen fushata të gjera sensibilizuese dhe të investohet në rrugë më të sigurta, sidomos për grupet më të cenueshme.

Në këtë rast, Shqipëria do të arrijë objektivin e përgjysmimit të numrit të viktimave deri në vitin 2030, duke ulur humbjet në vetëm 99 përdorues të rrugës, që përkthehet në 36 viktima për 1 milion banorë. Ky rezultat do ta afronte vendin me standardet më të avancuara të vendeve anëtare të BE-së.

Tregu i sigurimeve

Këto pritshmëri dhe skenarë, në rast përmbushjeje, do të ndikojnë drejtpërdrejt tregun e sigurimeve, sidomos atë të sigurimeve motorike, kjo për disa arsye:

Së pari, arsyet e lidhura me vlerësimin e riskut. Kompanitë e sigurimit bazojnë primet e tyre në probabilitetin e aksidenteve. Nëse parashikimet tregojnë ulje të viktimave dhe aksidenteve, rreziku perceptohet më i ulët dhe kjo i ndihmon të ofrojnë çmime më konkurruese.

Së dyti, e lidhur me pagesat e dëmeve: Më pak aksidente do të thotë më pak kërkesa për dëmshpërblime. Kjo do të ulë presionin financiar mbi siguruesit dhe i bën ata më të qëndrueshëm.

Arsyeja e tretë lidhet me politikat afatgjata. Nëse realizohet skenari më ambicioz (përgjysmimi i viktimave), tregu i sigurimeve do të afrohet me praktikat e BE-së, duke sjellë më shumë investime për produkte të reja në sigurimet motorike se sa për pagesa dëmesh materiale dhe në shëndet.