Një qen shpëtimtar meksikan që punonte në rrënojat e tërmetit në Turqi, ka ngordhur nga lodhja ndërsa kërkonte të mbijetuarit.
Kafsha, një bari gjerman, quhej Proteus dhe ishte pjesë e delegacionit të vendit që merrte pjesë në aktivitetet e kërkim-shpëtimit në Turqi. Njoftimi për ngordhjen e tij është bërë nga Sekretariati Meksikan për Mbrojtjen Kombëtare (Sedena).
“Anëtarët e Ushtrisë dhe Forcave Ajrore Meksikane janë thellësisht të pikëlluar për humbjen e shokut tonë, qenit Proteus.
Ju keni përmbushur misionin tuaj si anëtar i delegacionit meksikan në kërkimin dhe shpëtimin e vëllezërve tanë në Turqi. Faleminderit për vepren tuaj heroike”, ky është mesazhi i publikuar në rrjetet sociale nga Sekretariati i Mbrojtjes Kombëtare të Meksikës.
Në TikTok, Sedena postoi një video homazhe që përmban një mesazh nga shoqëruesja njerëzore e Proteus, Private Villeda, e cila thotë:
“Dua t’ju them se jam krenare për ju sepse keni qenë gjithmonë një qen i fortë, një qen pune që kurrë nuk u dorëzua. Tani, vetëm duhet të të falënderoj që më mbështete. Mjerisht, nuk do të shkosh në shtëpi me mua. Unë do të të kujtoj gjithmonë. Një ditë do të jemi përsëri bashkë.”
Sekretari meksikan i Marrëdhënieve me Jashtë Marcelo Ebrard gjithashtu donte të kujtonte qenin. Dhe këtë e bëri përmes një mesazhi në Twitter: “Më vjen keq për vdekjen e Proteos, pjesëtar i ekipit të shpëtimit të Sedena në Turqi. Ai ngriti emrin e Meksikës dhe popullit tonë”.