Më poshtë do të gjeni pesë këshilla praktike për t’ju ndihmuar të përfitoni sa më shumë nga sigurimi i shtëpisë suaj.
Këshillat janë përshtatur nga Sigurime.Online dhe për burim kanë fushatën e Insurance Europe, Insure Wisely, për 13-18-vjeçarët evropianë.
Cilat janë pesë këshillat për sigurim të zgjuar?
1. Zgjidh policën e duhur për ty
Duhen bërë kërkime për të gjetur policën e sigurimit të shtëpisë që i përshtatet më mirë nevojave të tua. Sigurimi i banesës (ose i ndërtesës) zakonisht mbulon kostot e riparimit ose rindërtimit të shtëpisë dhe elementeve të saj fikse (p.sh. kuzhina e integruar), ndërsa sigurimi i sendeve mbulon kostot e zëvendësimit ose riparimit të sendeve personale në rast dëmtimi apo vjedhjeje. Lloji i sigurimit varet edhe nga fakti nëse je pronar apo qiramarrës. Kupto më parë se çfarë mbulon sigurimi, cilat janë përjashtimet e tij dhe cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tua. Shuma e siguruar (“shuma e mbulimit”) duhet të jetë e saktë, pasi është maksimumi që kompania do të paguajë në rast dëmi. Mund të krahasosh oferta për të gjetur çmimin dhe mbulimin më të mirë.
2. Rishiko policën rregullisht
Shmang boshllëqet në mbulim duke rishikuar rregullisht sigurimin e shtëpisë dhe të përmbajtjes. Nëse situata jote ndryshon, si p.sh. martesa, largimi i fëmijëve nga shtëpia, rinovime apo blerja e sendeve me vlerë (bizhuteri, piktura etj.), ky hap merr rëndësi të dorës së parë. Mbaj një inventar të përditësuar të sendeve të tua.
3. Ul rreziqet
Edhe nëse je i siguruar mirë, dëmtimi i shtëpisë dhe sendeve është gjithmonë stresues, sidomos kur kanë vlerë sentimentale. Mund të ulësh rreziqet duke e bërë shtëpinë më të sigurt ndaj rreziqeve të përditshme. Siguruesi mund të të këshillojë për masa parandaluese. Për shembull, nëse jeton në një zonë me rrezik përmbytjeje, ka masa konkrete për të mbrojtur pronën nga uji. Disa sigurues ofrojnë ulje të primit nëse instalon pajisje sigurie si detektorë tymi, alarm kundër vjedhjes apo bravë sigurie.
4. Si të bësh një kërkesë për dëmshpërblim
Në rast se ndodh një ngjarje e padëshiruar, kontakto siguruesin sa më shpejt që të jetë e mundur që specialistët të vlerësojnë dëmin. Për të përshpejtuar procesin, jep sa më shumë informacion: bëj fotografi të dëmeve, siguro raporte policie (kur është e nevojshme) dhe paraqit fatura apo prova blerjeje për sendet e dëmtuara ose të vjedhura. Edhe ekstraktet bankare apo të kartës mund të shërbejnë si provë.
5. Eksploro mundësi të reja
Falë inovacioneve teknologjike, si pajisjet “smart home”, siguruesit mund të ofrojnë mbulim më të personalizuar sipas rreziqeve. P.sh., termostatët inteligjentë mund të rregullojnë temperaturën për të shmangur ngrirjen e tubacioneve, ndërsa kaldajat inteligjente të kujtojnë për mirëmbajtjen. Disa sigurues ofrojnë edhe shërbime paralajmëruese për mot ekstrem, si përmbytje apo erëra të forta.
Këto janë këshilla gati-universale, të cilat gjejnë zbatim edhe në Shqipëri.




