Evropa Qendrore po përjeton përmbytjet e saj më të mëdha në dekada, të cilat pritet të kushtojnë miliarda euro humbje ekonomike.
Vlerësimet e para tregojnë se vetëm kostoja e përmbytjeve aktuale mund të kalojë një miliard euro, por kostot e sakta ende nuk janë përmbledhur pasi shiu i rrëmbyeshëm nga stuhia Boris vazhdon të godasë rajonin, duke lënë pas viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale.
Si po preken vendet?
Në Evropë, përmbytjet janë tashmë rreziku natyror më i kushtueshëm, sipas konsulentit Mjedisor në Mbretërinë e Bashkuar “JBA Risk Management”. Vetëm përmbytjet nga lumenjtë kushtojnë çdo vit 7.8 miliardë euro, shifër që pritet të rritet pasi ndryshimet klimatike po intensifikojnë fatkeqësitë natyrore.
Këtë herë, përmbytjet kanë përfshirë pjesë të Austrisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Rumanisë dhe pritet të prekin edhe Sllovakinë dhe Hungarinë.
Fondet e urgjencës me vlerë qindra milionë euro janë liruar nga qeveritë polake, rumune dhe austriake dhe qeveria çeke po shqyrton ndryshimin e buxhetit të saj për vitin 2024 për shkak të dëmeve të lidhura me përmbytjet.
Sipas Grzegorz Dróżdż, analist i tregut në “Conotoxia Invest”, dëmtimi i infrastrukturës, ndërtesave dhe pronës dhe rritja e shpenzimeve për shpëtime mund të shkaktojë ulje të prodhimit dhe aktivitetit ekonomik.
“Këta faktorë zakonisht çojnë në një ndikim negativ në buxhete dhe tregti, që manifestohet si rritje e deficitit dhe përkeqësim i bilancit tregtar, për shkak të uljes së eksporteve dhe rritjes së importeve.
Përmbytjet me të cilat po përballen aktualisht Polonia, Republika Çeke dhe Austria sigurisht që do të jenë të kushtueshme për popullatën dhe do të ndikojë negativisht në buxhetet tashmë të ngarkuara”, thotë Dróżdż.
Si po ndikohen bizneset?
Disa nga fabrikat dhe dyqanet e prekura nga përmbytjet mbyllën linjat e prodhimit, mes tyre fabrika kimike BorsodChem në Ostrava, prodhuesi i pijeve Kofola CeskoSlovensko dhe fabrika OKK Koksovny – një nga prodhuesit më të mëdhenj të koksit në Evropë.
Shërbimet hekurudhore ndërkufitare janë pezulluar midis Polonisë dhe Republikës Çeke, si dhe ato mes Hungarisë dhe Austrisë.
Perspektivat ekonomike në terma afatgjatë
Katarzyna Rzentarzewska, Analiste në Erste Group tha për Euronews, “Në Çeki do të shohim se ndikimi ekonomik i kombinuar në lidhje me dëmtimet ndaj pronës dhe prodhimit mund të jetë 0.2-0.5% e PBB-së”
Ajo pret që në një periudhë afatshkurtër (në fund të këtij viti) sektori industrial të marrë një impuls negativ në të gjitha vendet e prekura nga përmbytjet, duke përfshirë edhe rajonin.
“Më në fund, dëmtimet në të korrat mund të kenë efekte inflacioniste”, tha Rzentarzewska.
LEXO EDHE: Evropa nën ujë/ CEO i “UNIQA” zbret në terren: Ende dyshoni se duhet vepruar?