U përkujtua mbrëmjen e sotme, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta, Fatmir Lishi, Drejtues i “SIGAL UNIQA Group Austria në qytetin e Shkodrës, përmes një ceremonie ku merrnin pjesë familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të kompanisë.
Ceremonia nisi me një video-homazh ku u shfaqën momente të Lishit gjatë punës së tij mbi 20-vjeçare në SIGAL UNIQA.
Më pas fjalën e mori përfaqësuesi i SIGAL UNIQA, z.Naim Hasa.
“Me punë e përkushtim dhe me një ekip të përzgjedhur, Fatmiri do të dinte të ngrinte një rrjet i cili do ta bënte fillimisht SIGAL-in e më pas SIGAL UNIQA-n kompaninë më të preferuar të sigurimeve për shkodranët, qytetarë të cilët kanë patur historikisht traditë në sigurime.
Korrekt me klientët dhe gatishmëria për t’ju shërbyer në çdo moment ishin armët e tij më të forta.
Përveç fjalëve të mira, çfarë mund të thuash tjetër për Fatmir Lishin, largimi i parakohshëm i të cilit ende na dhemb në shpirt“, tha ndër të tjera ai.
Pas z.Hasa, fjalën e morën miq e kolegë të Fatmirit, të cilët lartësuan figurën e tij, ndërsa u përcoll edhe një video-mesazh nga CEO i Grupit SIGAL UNIQA, z.Avni Ponari, i cili për shkak të angazhimeve profesionale nuk mundi të ishte fizikisht në ceremoni.
Gjatë ceremonisë, familjes iu dorëzua “Certefikata e Mirënjohjes”, në shenjë falenderimi për kontributin e vyer dhe profesional në kompaninë më të madhe të sigurimeve në Shqipëri dhe jo vetëm.
Kjo certefikatë, e dorëzuar nga CEO i SIGAL LIFE UNIQA, z.Edvin Hoxhaj, përkon edhe me 25-vjetorin e themelimit të kompanisë.
Aktiviteti u mbyll me një poezi të ndjerë, e shkruar nga vajza e Fatmir Lishit, që emocionoi të pranishmit.
Fatmir Lishi u lind me 13 janar 1956 në Shkodër, në një familje me tradita dhe kontribute për Shkodrën. Ai ka qenë një personazh mjaft aktiv në fushën sociale por edhe të biznesit.
Që nga krijimi i kompanisë së sigurimeve SIGAL UNIQA, ai ka qenë drejtor i degës së Shkodrës, duke e ngjitur në nivelet më të larta të preferencave për klientët.