Një ngjarje kriminale nxiti kureshtjen te një lexues i Sigurime.Online për të dërguar pyetjen e tij:
“Nëse kam një pronë të siguruar dhe ndaj saj, për motive kriminale, vendoset eksploziv, a përgjigjet siguruesi për dëmet e pësuara?”, ishte pyetja e tij.
Përgjigjja është e qartë dhe e thjeshtë: Jo!
Por një hapësirë ekziston, për ta siguruar edhe atë risk.
Përse themi jo?!
Dëmi i shkaktuar direkt ose indirekt nga veprimet, aktet keqdashëse, ku përfshihet edhe akti i vendosjes dhe shpërthimit të masës së eksplozivit, nuk përfshihet në mbulimet e sigurimit të pronës.
Ajo bën pjesë te rastet përjashtuese të çdo police sigurimi.
Shtesë kësaj, përveç aktit individual dashakeqës ndaj pronës, çdo policë sigurimi përjashton mundësinë e aktivizimit edhe kur këto akte kryhen në shkallë më të gjerë sepse trajtohen nën lupën e terrorizmit.
Policat siguruese me terrorizëm konsiderojnë kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj pasurisë nëpërmjet vjedhjeve, dëmtimeve e shkatërrimeve masive, që kanë si qëllim turbullimin e rendit publik dhe ngjalljen e frikës e të pasigurisë së publikut.
Cila është hapësira që ekziston?
Kompani sigurimesh me baza të dhënash serioze dhe kapacitete të mëdha si SIGAL Insurance Group, për persona që nuk kanë pikëtakime me aktivitetet kriminale, që janë me dosje të pastra penale, mund të ofrohet një mbulim shtesë edhe për aktet keqdashëse.
Primi i sigurimit, në këto raste, do të jetë më i lartë, rreth 0.5% e limitit të përgjegjësisë që mbulohet dhe zakonisht limiti i përgjegjësisë që ofrohet është 30% e vlerës totale të pasurisë.




