Sigurimet janë një aktivitet ekonomik të cilat na mbrojnë nga rreziqet e caktuara të cilat mund ta dëmtojnë (shkatërrojnë) pasurinë, jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Detyra e kompanive të sigurimeve është marrja përsipër e kompensimit të dëmit, pësuar nga i siguruari, në pajtim me kontratën e sigurimit.
Pagesa e cila kryhet nga ana e të siguruarit, sipas policës së sigurimit, njihet si prim i sigurimit.
Sigurimet kryejnë një funksion të rëndësishëm shoqëror. Sa më e madhe të jetë përqindja e të siguruarve (policambajtësve), aq më pak do të shpenzohet nga buxheti i shtetit për të kompensuar dëmet ekonomike që vijnë nga një sërë faktorësh, si për institucionet ashtu edhe për individët.
Si ndahen sigurimet në Shqipëri?
Nga pikëpamja juridike, sigurimet ndahen në: Sigurime të Detyrueshme dhe Sigurime Vullnetare.
Sigurimet e detyrueshme janë sigurime të përcaktuara konform ligjeve në fuqi.
Si në çdo vend tjetër të Europës dhe të botës, edhe në vendin tonë, profesione apo aktivitete që paraqesin rrezikshmëri të lartë ndaj të tretëve, janë të detyruara me ligj të bëjnë sigurimin e detyrueshëm ndaj dëmeve që u shkaktojnë palëve të treta.
Rëndësia e sigurimeve të detyrueshme:
– Kompesimi i sigurtë i dëmit të palëve të treta
– Siguria që i ofron të dëmtuarit
– Shmang konfliktet sociale midis palëve (të demtuarit dhe shkaktarit të dëmit)
Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit
Ky sigurim përmban:
– Sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti. – Sigurimi i pasagjerëve nga aksidentet në sektorin publik.
– Sigurimi i përgjegjësisë së pronarëve të avionëve për dëmin e shkaktuar palëve të treta.
– Sigurimi i përgjegjësisë së pronarëve të mjeteve të vogla lundruese për dëmin e shkaktuar palëve të treta.
– Policë për Sigurimin e Detyrueshëm të Mbajtësve të Mjeteve Motorike për Përgjegjësine Ndaj Palëve të Treta (MTPL).
Kjo policë lëshohet për mjetet me targa shqiptare, me afat 1 vjeçar, e vlefshme për territorin e Shqipërise.
– Policë Sigurimi Kufitar (Border Insurance Policy).
Kjo policë lëshohet për mjetet me targa të huaja, që hynë në territorin e Shqipërisë dhe nuk kanë Karton Jeshil ose ai nuk e mbulon Shqipërinë. Afati i këtyre policave është i lidhur me kohën e qëndrimit të tyre në vendin tonë, por jo më pak se 15 ditë.
– Karton Jeshil. Kjo policë lëshohet për mjetet që udhëtojnë jashtë territorit të Shqipërisë dhe afati minimal i mbulimit të tyre është 15 ditë e deri 1 vit.
– Policë për Sigurimin e Detyrueshëm nga Aksidentet e Pasagjerëve në Transportin Publik.
Kjo policë lëshohet për mjetet e transportit publik si autobuzë, mikrobuzë, taksi, etj. me afat 1 vit.
POLICA TË TJERA SIGURIMI, TË DETYRUESHME
– Polica e Sigurimit të Përgjegjësisë së Ndërtuesit
Kjo policë është me afat 10 vjet dhe përfitues janë blerësit e apartamenteve, sipas kontratës së shit-blerjes dhe palët e treta.
– Policë për Sigurimin e Përgjegjësisë Ligjore të Tregtuesve të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të Tyre
Kjo policë mbulon përgjegjësinë ndaj palëve të treta të tregtuesve të naftës e gazit, të tilla si pikat e karburantit, depozitat e naftës e të gazit, dyqanet e shitjes së tyre si dhe të vajrave lubrifikante etj.
– Polica për Sigurimin e Përgjegjësisë Profesionale
Kjo policë lëshohet për disa profesione të veçanta të tillë si noterë, përmbarues gjyqësore, ekspertë e projektues në ndërtim, vlerësues dëmesh në sigurime, ndërmjetës në sigurime, etj., sipas VKM-ve të veçanta.
Jetë, shëndet, pasuri…/ Çfarë është sigurimi vullnetar?
Çfarë është Sigurimi Vullnetar?
Sigurimi vullnetar është ai sigurim, të cilin individët, familjet dhe bizneset zgjedhin të marrin me dëshirë, për të mbrojtur shëndetin, jetën apo pasuritë e tyre nga rreziqe specifike.
Ndryshe nga sigurimet e detyrueshme, sigurimi vullnetar ofron një gamë më të gjerë opsionesh dhe mbulimesh, duke ju lejuar të përshtatni planin e sigurimit sipas nevojave tuaja specifike.
Sigurimi i Jetës: Është një kontratë ndërmjet një të siguruari dhe siguruesit, në të cilën siguruesi, në këmbim të primit të sigurimit, premton që do të paguajë një shumë të caktuar parash me vdekjen e individit të siguruar.
Sigurimi i Jetës është i lidhur ngushtësisht me konceptin e vdekjes së parakohshme.
Vdekja e parakohshme, në këndvështrimin e sigurimit, nënkupton ndarjen nga jeta të një kryefamiljari, pa përmbushur ende detyrimet e tij financiare, si rritja dhe edukimi i fëmijëve, kujdesi për persona të tjerë nën varësi, shlyerja e një kredie afatgjatë etj.
Sigurim Privat Shëndeti: Mbulon shpenzimet mjekësore, trajtimet emergjente, kontrollet rutinë etj.
Sigurim i Pasurisë: Mbrojtje për shtëpinë, apartamentin, vilën, pronën komerciale, sendet personale, inventarin dhe çdo investim tjetër nga rreziqe të ndryshme si: zjarr, eksplozion, përmbytje, tërmet, vjedhje etj.
Sigurimi KASKO: KASKO është sigurimi vullnetar i mjetit motorik për dëmet e shkaktuara vetë mjetit motorik nga rreziqet e parashikuara në kontratë dhe të përzgjedhura nga vete klienti.
Shëndeti në Udhëtim: Mbrojtje gjatë udhëtimeve brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë mbulimin për shpenzimet mjekësore, riatdhesimet, anulimet e udhëtimeve etj.
Sigurimi nga Aksidentet: Mbrojtje financiare për individin apo familjen e tij në rast të ndonjë ngjarje aksidentale dhe të paparashikuar.
Pension Privat: Një fond pensioni privat i jep mundësinë individëve që të investojnë kursimet e tyre periodike, me idenë e kursimit deri në vitet e pensionit, që më pas merren si këste mujore së bashku me interesin e fituar përgjatë viteve.
MËSONI MË ME DETAJE MBI ÇDO PRODUKT SIGURIMI DUKE KLIKUAR KËTU