10.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet"Pensioni mesatar në Maqedoninë e Veriut 350 euro"/ Gazetari: Nevojë për një...

“Pensioni mesatar në Maqedoninë e Veriut 350 euro”/ Gazetari: Nevojë për një skemë me tri shtylla

Shqipëria po plaket me shpejtësi duke qenë vendi i katërt në Evropë me plakjen më të fortë, pas Maltës, Italisë dhe Spanjës.

Krahas dukurisë së plakjes së popullsisë, te ne ka ndodhur edhe largimi shumë i shpejtë e masiv, për shkak të emigracionit dhe ëndrrës për t’u shkolluar e punuar jashtë vendit.

Të dy këta faktorë, të qëndrueshëm dhe shumë të fortë, do të vijojnë të ndikojnë fuqishëm në plakjen e mëtejshme të popullsisë sonë.

Por një fenomen i tillë po ndikon dukshëm edhe në skemën e pensioneve.

Në një shkrim me titull “Për pensionet pa paterica“, gazetari i njohur i ekonomisë Fatos Çoçoli analizon situatën dhe tregon se cilat janë zgjidhjet më të mira për Shqipërinë.

“Nuk mund të vijojmë të ecim me paterica tek pensionet! Është rrugë e minuar, ku çdo qeveri mund të ngecë, pasi kosto shoqërore është e jashtëzakonshme”, shkruan ai.

Sipas Çoçolit, kemi nevojë për një reformë të plotë të një skeme pensionesh me tri shtylla.

“Duhet t’i futemi me kurajë dhe vendosmëri reformës së plotë, pensioneve me tri shtylla: pensioni shtetëror, pensioni privat i detyrueshëm dhe pensioni privat vullnetar”.

Një skemë të tillë, sipas gazetarit, e aplikojnë vendet e zhvilluara europiane por edhe disa nga rajoni i Ballkanit.

“Këto tri shtylla i kanë të gjitha vendet e zhvilluara të familjes së madhe të Bashkimit Evropian ku po shkojmë, por edhe disa vende të rajonit. Duhet ta kuptojmë sot shumë qartë që, në nivel të grupeve të popullsisë, armatën më të madhe nuk e përbëjnë më fëmijët deri në moshën 18 vjeç, as të rinjtë 18-35 vjeç, por pensionistët mbi 65 vjeç. Të tillë kemi sot mbi 600 mijë veta! Në tërësi, pensionistët e regjistruar dhe që marrin pension të plotë ose të pjesshëm te ne, tani që flasim janë 717 mijë veta. Duke pasur ne një pension mesatar 187 euro, buxhetit të shtetit i duhet të ndajë çdo vit 1,34 miliardë euro për të përballuar pensionet. Nga këto para, pagesat e sigurimeve shoqërore kontribuojnë me vetëm rreth 900 milionë euro. Pjesa tjetër, 434 milionë euro, është deficit kronik i skemës sonë publike të pensioneve, i cili përballohet nga taksat tona.

 

Në nivel të raportit mes deficitit të pensioneve dhe të ardhurave buxhetore, jemi shteti me raportin më të lartë në rajon dhe ndoshta në të gjithë Evropën.

 

Pra, me deficitin më problematik. Çfarë e rëndon më shumë këtë raport, është përqindja ende e madhe e punëve në të zezë, me kontribut zero në skemë, si dhe e pagave të trukuara në sektorin privat. Zgjidhja për uljen e punëve në të zezë dhe të evazionit përmes pagave të trukuara, është fuqizimi i kontrolleve të detajuara të inspektorëve të punës dhe shtimi me herë i gjobave, në rastet e gjetjes së punëve në të zezë dhe pagave të trukuara.

Si dhe kontrolli mbi inspektorët e punës, pasi mund të jenë korruptuar nga kompanitë private në zonat ku veprojnë dhe sigurojnë mes korrupsionit një rrogë të dytë apo të tretë, për të mbyllur njërin apo të dyja sytë ndaj pagave të trukuara e punëve në të zezë të kompanive.

Skema jonë e pensionit është gjithnjë e më shumë në funksion/mëshirë të numrave të emigrimit ekonomik. Nga 10 qytetarë që i largohen sot Shqipërisë, 9 janë persona në moshë për punë, apo studentë dhe fëmijë. Vetëm një është pensionist, që largohet për bashkim familjar me fëmijët e tij në emigracion. Kështu që edhe raporti kontribuues-përfitues te skema jonë e pensioneve publike i ngjan lëkurës së shagrenit. Ka tendencë të vijojë të qëndrojë e tkurrur pranë njëshit, me shtytje për t’u ulur akoma, por kurrsesi për t’u rritur ndjeshëm. Për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë. Skema jonë e pensioneve përmirësohet ndjeshëm, vetëm nëse fusim shtyllën e dytë, atë të pensioneve private të detyruara. Sikurse kemi sigurimin privat të detyruar të makinave.

Kjo skemë ka funksionuar në vende shumë të ngjashme me ne për nga të ardhurat dhe fuqia blerëse e popullsisë, sikurse është Maqedonia e Veriut. Maqedonasit patën kurajën ta nisnin këtë reformë që në vitin 2005. Tani, gati dy dekada më vonë, pensioni mesatar në Maqedoninë e Veriut është 350 euro, ose gati dy herë më i lartë se tek ne.

Nëse, nëpërmjet pensionit privat të detyrueshëm, ti si qytetar merr vesh se pensionit tënd do t’i shtohen qoftë edhe 20 mijë lekë të vjetra në muaj, ngaqë me ligj qeveria pranon të japë vetëm 3 për qind nga 900 milionë eurot e të ardhurave të sigurimeve shoqërore kompanive private të sigurimit, atëherë të ngjallet brenda vetes një shtytje e madhe për ta rritur këtë shumë. Dhe përmes ofertave të këtyre kompanive private, ti edhe mund ta pesëfishosh atë, duke kontribuar çdo muaj me diçka. Ne kemi sot dhe do të vijojmë ta kemi plagën më të madhe ekonomike në deficitin e skemës së pensioneve shtetërore. Duhet të mendojmë fort seriozisht e me shumë kurajë se si ta përballojmë atë.

Duhet të kemi një kuadër ligjor që favorizon me taksa më të ulëta kompanitë private dhe ato shtetërore sha (shoqëri aksionere), që i shtyjnë punonjësit e tyre të investojnë për skemën e pensionit që në vitet e para të punës. Pjesën më të madhe të popullsisë e kemi të punësuar në privat, por një pjesë jo e vogël, mbi 340 mijë veta, është e vetëpunësuar në bujqësi. Për ketë sektor duhet të mendojmë nxitje të veçantë për skemat e pensioneve”, shkruan ndër të tjera Fatos Çoçoli.

Më tej, gazetari kërkon nxitjen e sektorit privat e sidomos të kompanive të mëdha që punësojnë qindra njerëz.

Për ne, kryesorja është që të nxitet sektori privat, e sidomos kompanitë e mëdha, që punësojnë me qindra punonjës. Një pjesë prej tyre dhe e bëjnë nxitjen spotanisht sot, kur ofrojnë incentiva për punonjësit e tyre që punojnë prej 10 apo 15 vite e më shumë pranë kompanive të tyre. Por kjo gjë duhet të jetë që në nisje të punës. Pikërisht te ne mungon qasja e duhur, pasi kemi shumë të rinj që pranojnë të punojnë në biznese të ndryshme dhe të pasiguruar, duke mos menduar për të investuar në pensionin e tyre.

Nëse realizohet kjo nxitje totale dhe beteja pa kompromise ndaj punës së zezë dhe pagave të trukuara, mund të arrijmë në pak vite shifrën e sotme të Maqedonisë së Veriut me një pension mesatar 350 euro në muaj. Ky vend, njëlloj si dhe Kosova që po ecën me shpejtësi drejt shtimit të ndjeshëm të pensioneve të veta, ka tri shtylla të dukshme të skemës së pensioneve: pensioni shtetëror, pensioni i detyrueshëm privat dhe pensioni privat vullnetar. Ne na mungon shtylla e dytë krejtësisht”.

LEXO EDHE: “Pensionet Private, Pensionet e së Ardhmes“

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat