Të dhënat e fundit të bëra publike nga Banka Botërore, tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri, për vitin 2020 ka prekur vlerën e 5215 dollarë, ku në vitin 2019 prekte vlerat më të larta në 10 vjeçarin e fundit. Duket se pandemia ka kryer punën e saj, duke bërë që ky tregues të pësojë ulje me 2.62% kundrejt vitit të mëparshëm, kur PBB për frymë regjistrohej në 5355 dollarë. Nësë e shohim në planin 10 vjeçar, PBB për frymë është rritur me rreth 21.49%, ose shprehur në mjete monetare, rreth 1120 dollarë.
Në arenën rajonale për vitin 2020, kjo normë për vendet e rajonit fiksohet në rënie me vitin e mëparshëm. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri është 11.43% më i ulët se në Maqedoninë e Veriut, 31.97% më i ulët se në Serbi, 32.15% më i ulët se në Malin e Zi dhe 13.5% më i ulët se në Bosnje Hercegovinë. Ndërsa në krahasim me Kosovën, PBB për frymë është rreth 17.80% më i lartë në vendin tonë. Nga ana tjetër, duke parë ecurinë ndër vite, vihet re se Shqipëria ka bërë progres më të dobët se vendet e tjera. Në vitin 2005 diferenca e PBB për frymë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ishte vetëm 307 dollarë, ndërkohë që në 2020-ën rezulton plot 673 dollarë, pra dy herë më shumë. Kjo tendencë vihet re qartë edhe në grafik, ku në vitet 2000 nivelet e PBB për frymë mes vendeve të rajonit ishin mjaft të përafërta, ndërsa sot distancat janë të ndjeshme.
Vendet që janë pjesë e Bashkimit Europian regjistrojnë një nivel të PBB për frymë në vlerat e 37,712 dollarë. Krahasuar me Shqipërinë, vendet e Bashkimit Europian e kanë këtë tregues rreth 86% më të lartë. Në Europë janë të pakta shtetet të cilat janë më të varfëra se Shqipëria, dhe ato janë: Ukraina, Azerbaixhani, Armenia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Kosova. Sipas një raporti të Bankës Botërore, me një rritje ekonomike prej 4 – 4.2%, Shqipërisë i duhen rreth 36 vite që të arrijë mesataren e PBB-së për frymë të vendeve të BE-së, ndërkohë që me një rritje ekonomike të qëndrueshme prej 6% i duhen rreth 25 vite.
SCAN INTELLIGENCE UNIT