Deklarata e fundit e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për ashpërsimin e masave ndaj parkimeve të gabuara, sidomos atyre të njohura si “parkime dysh”, ka ngjallur shqetësim te qytetarët.
Shumë menduan se çdo rast i tillë do të çojë automatikisht në ndjekje penale, por burime nga Policia e Shtetit sqarojnë se kjo ndodh vetëm në raste të rënda dhe të veçanta.
Parkimi “dysh” ndodh kur një makinë ndalon pranë një tjetre të parkuar buzë rrugës, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin.
Ky veprim kthehet në vepër penale vetëm kur pengon qartë ambulancat, zjarrfikëset, apo mjetet e tjera të emergjencës; kur bllokon totalisht rrugën për mjetet ose këmbësorët; apo kur rrezikon sigurinë publike.
Në këto raste, pas verifikimit nga policia dhe prokuroria, mund të ngrihet akuzë penale sipas nenit 293 të Kodit Penal.
Në rastet e tjera të zakonshme, policia do të vendosë gjoba nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë, si dhe masa si bllokim gomash apo tërheqje me karrotrec.