Bota nuk po gjen qetësi. Pas një viti të vështirë, kur dukej se më e keqja kishte kaluar, virusi djallëzor vijon të trazojë përmes mutacioneve, që po ulin gjithnjë e më shumë aftësitë për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Të dhënat e Worldometër, që mat ecurinë e infektimeve, tregojnë se në nivel global po i afrohen kulmit të tretë më të lartë, pas dy valëve në janar dhe në maj.
Ndonëse virusi nuk është më e panjohura, që e kapi globin të papërgatitur në fillim të vitit të kaluar, sërish mbeten shumë pikëpyetje. Pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara kanë ecur mirë me vaksinimin. Europa ka vaksinuar 52% të popullsisë (44% me dy doza), sipas Our World in Data, SHBA gati 60% (50.6% me dy doza), ndërsa mesatarja globale ka arritur në 32% (24% me dy doza).
Sërish, vaksinimi nuk po funksionon tërësisht, teksa koha është shumë e shkurtër për të testuar, në mënyrë të qartë, efikasitetin e tyre. Të dhënat paraprake nga Izraeli, shteti që ka pasur ritmet më të shpejta të vaksinimit, pas valës së parë, tregojnë se gjashtë deri në tetë muaj pas dozave të dyta, imuniteti fillon të dobësohet. Studime nga Mbretëria e Bashkuar po gjejnë se ngarkesa virale në rastet e të sëmurëve është e njëjtë si te të vaksinuarit, ashtu dhe te të pavaksinuarit. Po këto studime tregojnë se të pavaksinuarit kanë pesë deri në gjashtë herë më shumë të ngjarë të përfundojnë të sëmurë rëndë.
Edhe Shqipëria ka hyrë tashmë në valën e katërt të pandemisë. Rastet ditore të infektimit janë rritur ndjeshëm, duke e kaluar shifrën prej 500 në ditë (sipas të dhënave zyrtare, ndërsa gjasat janë që shifrat reale të jenë, me shumë gjasa, disa herë më të larta). Pas një periudhe qetësie, numri i vdekjeve po shtohet nga dita në ditë.
Nisur nga përvoja e vitit të kaluar, gjasat janë që me fillimin e vjeshtës, situata të përshkallëzohet dhe numri i të shtruarve në spitale të mund të rritet. Në kahun pozitiv, vendi supozohet se ka avantazhin që të ketë imunitet natyral. Numri i lartë i vdekjeve shtesë, që sipas INSTAT ka arritur në rreth 10 mijë që nga fillimi i pandemisë, është një tregues indirekt se një pjesë e madhe e popullsisë e ka kaluar virusin në valët e mëparshme.
Ndërkohë vaksinimi po vijon, por sërish vendi mbetet nën mesataren europiane, me vetëm 27% të popullsisë së vaksinuar, nga e cila 20% me dy doza. Për më tepër që, vaksina më e përdorur është CoronaVac kineze, efikasiteti i së cilës nuk është testuar. Në kahun negativ, valët e para kanë lënë pasoja afatgjata në popullatë, sidomos ata që vuajnë edhe nga sëmundje kronike dhe mjekët kanë paralajmëruar se kjo mund të shkaktojë presion mbi sistemin shëndetësor.
Elementi më i rëndësishëm është se sa të përgatitur do të jenë qeveria dhe sistemi shëndetësor për të përballuar një mbingarkesë në spitale. Përvoja tregoi se në pjesën më të madhe, qytetarët u detyruan të paguanin nga xhepi për t’u kuruar, kurse qeveria pasi pa efektet që dha në ekonomi karantina e mars-majit 2020, më pas zgjodhi qartësisht atë përpara shëndetit të popullatës. Kjo zgjedhje bëri që rënia ekonomike për 2020-n të ishte më e ulët sesa pritej, sipas vlerësimeve fillestare dhe rimëkëmbja të ishte e shpejtë më pas, sidomos në këto muaj të verës, kur turizmi është në kulmin e tij dhe madje i ka tejkaluar nivelet e parakrizës.
Shifra e vdekjeve shtesë është gati pesë herë më shumë se deklarimet zyrtare. Nëse do të merrej parasysh edhe pjesa e të sëmurëve të trajtuar tërësisht jashtë sistemit shtetëror, do të dilte dhe më në pah përhapja reale e sëmundjes në popullsi, duke bërë që shifrat zyrtare aktuale të mos ofrojnë matje të mirë.
Pra, qeveria, duke vënë në plan të dytë shëndetin, praktikisht ka zgjedhur atë model ekonomie që po thellon varfërinë. Njëherësh, duke pasur paqartësi në sistemin e grumbullimit të informacionit mbi rastet e infektimit dhe të fataliteteve, të cilat nuk janë trajtuar në sistemin shëndetësor shtetëror, po na humbet dhe një mundësi për të matur realisht fenomenin.
Kjo gjë që do ta ndihmonte atë dhe qeveritë e mëpasshme të ndërtonin programe apo strategji menaxhimi pandemish në të ardhmen (të mos harrojmë se si dhe në një rast katastrofe natyrore, siç qe tërmeti i nëntorit 2019, nuk u mat dot një ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet, duke humbur material të vlefshëm shkencor, vetëm për shkak të mungesës së një burimi rezervë energjie).
Duket se qeveria apo institucionet e saj përgjegjëse nuk e kanë me përparësi përgatitjen për të administruar katastrofat sot apo në të ardhmen. Vijon të preferohet administrimi i situatës, duke ofruar errësirën informative në raport me transparencën dhe njohjen reale të situatës, e cila, në fund të fundit, të paktën ka vlerë për studimin shkencor të ngjarjes.