Varianti shumë infektiv i Omicron tashmë përbën shumicën e rasteve me Covid-19 në Londër, shkruan The Economist.
Virusi tashmë po përhapet në Europën kontinentale, duke bërë që qeveritë përkatëse të nxitojnë me vendosjen e rregullave të reja. Gjermania ka vendosur një karantinë 14-ditore për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Britania, që hyri në fuqi nga 20 dhjetori. Franca mbylli kufijtë e saj për turistët nga Britania më 18 dhjetor.
Megjithatë, kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare nuk do të jenë të mjaftueshme për të frenuar përhapjen e variantit. Më 19 dhjetor, Holanda prezantoi një bllokim të ri të rreptë, i cili do të zgjasë të paktën deri më 14 janar.
Rregulla më të rrepta duket se do të vendosen dhe në shtete të tjera.
Kjo situatë vjen pikërisht në momentin që shumë vende evropiane kishin filluar të bënin kthesën ndaj një vale të mëparshme infeksionesh të shkaktuara nga varianti Delta. Vala e kishte kaluar kulmin në Gjermani dhe Holandë; Norma e rritjes së rasteve të reja në Francë gjithashtu kishte filluar të ngadalësohej.
Omicron po ndryshon tendenca të tilla. Virusi po përhapet shpejt në Danimarkë. Varianti po fiton terren në pjesën tjetër të Evropës me “shpejtësi të rrufeshme”, tha Zhan Castex, kryeministri francez, më 17 dhjetor, teksa numri i rasteve të reja për shkak të Omicron po dyfishohet çdo dy deri në tre ditë. Oliver Véran, ministri francez i shëndetësisë, thotë se varianti mund të përbëjë shumicën e rasteve në Francë deri në Krishtlindje.
Edhe nëse Omicron rezulton të jetë më pak i rëndë se Delta (gjë që ende nuk është e qartë), shkalla e kësaj valë që vjen do të thotë se numri i rasteve serioze mund të rritet. Shumë punonjës shëndetësorë të vijës së parë mund të mos jenë në gjendje të punojnë për shkak të infeksionit, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi spitalet. Për të fituar pak kohë dhe për të lehtësuar këtë presion, qeveritë evropiane kanë në dispozicion dy armë kryesore. Njëra është përshpejtimi i dozave përforcuese të vaksinave, në mënyrë që të rritet mbrojtja. Tjetra është kufizimi i ndërveprimeve sociale, me shpresën e ngadalësimit të transmetimit.
Filloni me vaksinat përforcuese, rekomandon The Economist. Në veçanti, skaji perëndimor i Bashkimit Europian ka bërë përparim të mirë në administrimin e dozave të para të vaksinave kundër Covid-19. Gati 89% e portugezëve, 83% e spanjollëve, 80% e francezëve dhe 79% e italianëve kanë marrë të paktën një dozë vaksine. Kjo krahasohet me 76% në Britani, 73% në Gjermani, 73% në Amerikë dhe përqindje edhe më të ulëta në pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore. Por dozat përforcuese duket se ofrojnë mbrojtje më të rëndësishme kundër Omicron, dhe në veçanti kundër rasteve të rënda. Britania është përpara në këtë garë: më shumë se 40% e popullsisë së saj ka marrë një dozë përforcuese, krahasuar me 18% në Amerikë. Ndërsa ky nivel është vetëm 30% në Gjermani, 24% në Francë dhe 23% në Itali.
Europa tani është në garë për të shtuar dozat përforcuese. Presidenti francez, Emmanuel Macron, në fund të nëntorit e bëri këtë praktikë të hapur për të gjithë personat mbi 18 vjeç. Ai gjithashtu paralajmëroi të moshuarit mbi 65-vjeç se leja franceze e Covid, një certifikatë dixhitale e nevojshme për hyrjen në restorante, bare dhe ambiente të tjera të brendshme, do të skadonte në mes të dhjetorit, përveç nëse personi kishte marrë një përforcues. Karl Lauterbach, ministri i ri gjerman i shëndetësisë, njoftoi se javën e kaluar u dhanë 1.5 milion përforcues në një ditë. Franca vendosi një rekord të ri më 16 dhjetor, me afro 900,000 në një ditë të vetme.
Por Agjencia Evropiane e Shëndetit paralajmëroi më 15 dhjetor se edhe me një dozë përforcuese, sistemet e kujdesit shëndetësor do të vihen nën presion për të përballuar situatën nëse rregullat për kontaktin social nuk “forcohen më tej pa vonesë”. Kjo është arsyeja pse vendet evropiane po i drejtohen armës së tyre të dytë, kufizimeve më të forta në udhëtime dhe aktivitete të tjera.
Holandezët kanë vendosur rregullat e reja më të ashpra për qytetarët e tyre deri më sot. Të gjitha baret, restorantet, kinematë, dyqanet jo thelbësore dhe qendrat e brendshme sportive tashmë janë mbyllur për një muaj. Ngjarjet sportive do të zhvillohen në stadiume të zbrazëta. Familjet do të lejohen të ftojnë vetëm katër të ftuar të moshës 13 vjeç e lart në shtëpitë e tyre gjatë Krishtlindjeve. Mark Rutte, kryeministri holandez, tha se ai nuk kishte zgjidhje duke qenë se varianti po përhapej “madje më shpejt” nga sa pritej.
Tani për tani Franca nuk ka vendosur as bllokim dhe as shtetrrethim. Por zoti Castex tha më 17 dhjetor se ai po planifikon ta bëjë vaksinën të vetmen leje kalimi në vend. Aktualisht, një test negativ për Covid-19 mund të përdoret gjithashtu për të pasur akses në restorante dhe vende të tjera publike. Një ligj i ri, që do të shkojë në parlament në janar, do të lejojë hyrjen vetëm për ata që janë të vaksinuar. Kur zoti Macron shtrëngoi rregullat në korrik dhe tha se vaksinimi do të ishte i detyrueshëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor nga shtatori, kjo veproi si një shtysë e madhe për t’u vaksinuar. Qeveria shpreson që rregulli i ri, nëse miratohet, do të ketë një efekt të ngjashëm. Italia ka vendosur tashmë një rregull të ngjashëm. Austria ka shkuar edhe më tej: vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm në shkurt, duke vendosur një gjobë të madhe për ata që refuzojnë. Gjermania po shqyrton një hap të ngjashëm.
Periudha e përhapjes së valës Omicron është veçanërisht e vështirë në Francë, për dy arsye. Njëra është ekonomike: bizneset e hoteleve dhe restoranteve në Alpe, të cilat mbështeten shumë tek turistët britanikë gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, kanë paralajmëruar një fillim katastrofik të sezonit të tyre për shkak të kufizimeve kufitare. Por problemi më i madh është politik. Franca mban zgjedhjet presidenciale në prill dhe janari është tradicionalisht fillimi i sezonit të fushatës.
Përhapja e Omicron mund të nënkuptojë se prioritetet politike kombëtare do të ndryshojnë. Deri më tani, presioni i populist-nacionalistëve, imigracioni dhe politika e identitetit kanë dominuar debatin. Këto tema tani mund të eklipsohen edhe një herë nga shëndeti publik.
Lexo edhe: Rasti i 13-vjeçarit në Turqi/ Me siguracion 4 euro në SIGAL, mbuloi 5500 euro shpenzime spitalore