Rasti i parë me “Omicron”, varianti i ri i koronavirusit, është konfirmuar sot në Greqi.
Duke folur për rreziqet që paraqet, epidemiologu Ilir Alimehmeti, shpjegoi tri ditë më parë në emisionin “Open”, se rritja e rasteve të reja me Covid-19 në Afrikën e Jugut tregon se ka transmetueshmëri të lartë, por ende nuk është konfirmuar kjo gjë.
“OBSH, CDS, të gjtha bashkë vendosën se është variant shqetësues. Ne dimë shumë pak, dimë listën e gjatë të mutacioneve dhe mendon se mund të presësh gjëra në të ardhmen. Disa variante kanë pasur transmetueshmëri të lartë dhe kjo merr bazën e të dhënave se mund të sjellë trasmetueshmëri të lartë. Provë është Afrika e Jugut që janë rritur rastet. Kemi shumë mungesë informacionesh. Keni rreth 1400/1500 variante të ndryshme. Do ta ndjekim. Afrika e Jugut ka pasur dhe një variant shqetësues, por nuk erdhi asnjëherë në Europë. Do ta shohim. Kemi disa limitime dhe boshllëqe njohurie, duhet të ruajmë kujdesin”, shpjegoi ai.
Ndërsa shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se simptomat tipike të këtij varianti janë sekrecionet, dhimbjet e fytit dhe temperatura për 1-2 ditë.
“Është shtamë e Sars Cov 2. 30 mutacione i ka pësuar vetë Omicroni. Sars Cov 2 ka rreth 30 mijë baza në gjenomën e vet. Po të bësh llogari të statistikave, mutacionet janë të parëndësishme nga ajo që flasim. Nuk është mutacioni problemi dhe nuk është e thënë që sic nodhi me viruset e viteve ’60 që interpretoheshin gjithmonë si rrufë. Omicroni ka tipike rrufën, sekrecionet, dhimbja e fytit dhe temperaturë 1-2 ditë dhe periudhë rikuperimi më të ulët se më parë. Sa u izolua shtami, u kapën me vonesë por ishin përhapur shumë. Viurset dhe shtamat e reja janë më transmetuese dhe më pak vdekjeprurëse, ndaj në vendet e tjera merren masa menjëherë”.
Lexo edhe: Covid-19, Omicron, kancer, aksidente… Si të mbrojmë shëndetin në këto kohë të vështira
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania” tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron në disa vende, teksa bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.
“Është e rëndësishme të vijojmë vaksinimin edhe në raport me variantin e ri Omicron që tashmë ka shqetësuar botën. Jo duke i vendosur vendet në panik por i ka vendosur në një gatishmëri të shtuar të gjitha vendet, ashtu sikurse edhe ne”, tha Manastirliu.
Duke folur për variantin e ri Omicron, Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.
“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.