Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar në 2.75 % normën bazë të interesit për lekun.
Lajmin e ka bërë të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përmes një deklarate për mediat, ku foli për vendimmarrjen e politikës monetare për muajin dhjetor 2024.
Sipas Sejkos, ekonomia është në mjedis pozitiv, inflacioni është ulur ndërkohë është rritur punësimi.
Bazuar mbi këto rezultate sipas Sejkos, Banka e Shqipërisë vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit prej 2.75%.
Në konferencë guvernatori Gent Sejko deklaroi se ata kanë shtuar blerjet e euros në treg për të stabilizuar kursin e këmbimit.
“Aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet, inflacioni mbetet i ulët dhe nën kontroll, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta, ndërsa ritmet e rritjes së kredisë janë të larta. Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmoi gjykimin e tij se politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë ecuri, nëpërmjet kontrollit dhe reduktimit të inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe treguesit e shëndetit financiar të vendit”, tha ndër të tjera guvernatori.