Më datat 19-23 tetor 2025, në mjediset e Kongresshaus Baden-Baden në Gjermani, u zhvillua takimi ndërkombëtar i gjigantëve të risigurimit. Ky aktivitet është një ngjarje kyçe për profesionistët e sektorit të risigurimeve.
Në të u mblodhën së bashku ekspertë të njohur të sigurimeve dhe risigurimeve, përfaqësues të gjigantëve të sektorit, analistë financiarë nga e gjithë bota të cilët zhvilluan diskutime të thelluara për të ndarë prirjet dhe zhvillimet më të fundit në industri.
Përfaqësues në këtë takim ndërkombëtar ishin edhe drejtues të SIGAL Insurance Group, që bashkëpunon ngushtë me gjigantët e risigurimeve botërore.
Raporti i SWISS RE
Mbi 100 miliardë dollarë çdo vit shënohet humbja e e tregjeve ndërkombëtare të risigurimit si pasojë e katastrofave natyrore, u tha në takim.
Portofolin e sigurimeve të pronës dhe jetës po e prekin drejtpërsëdrejti fenomene si: përmbytjet, stuhitë, thatësira dhe temperatura ekstreme kudo në Evropë dhe në Botë.
Ky ishte përfundimi i një analize të detajuar të gjigantit të risigurimeve, Swiss Re.
Drejtori rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore i kompanisë, z. Leopoldo Kamara bëri thirrje se përpara këtyre të dhënave nuk duhej qëndruar pasivisht. “Sfida kërkon bashkëpunim intensiv midis siguruesve, risiguruesve, brokerëve, qeverive dhe komuniteteve”, u shpreh z. Kamara.
Rrugëdalja
Tri janë drejtimet që industria duhet të ndjekë, sipas analizës që Swiss re bënte:
të ndërmarrë masa parandaluese strukturore,
të investojë në përdorim të avancuar të dhënash klimatike dhe gjeohapësinore dhe
të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me autoritetet publike dhe komunitetet lokale.
Novacion parandalues, bashkëpunim dhe operim me bazë të dhënash shkencore.
Për të gjitha orientimet e mësipërme u panë edhe shembuj konkretë suksesi nga kontinenti.
Simpoziumi trajtoi shembujt kontinentalë që dëshmonin se menaxhimi efektiv i rreziqeve natyrore është i mundur kur bashkohen investimet, teknologjia dhe ndërgjegjësimi qytetar.
Projekte si “Sihl flood relief tunnel” në Zvicër, me një investim prej mbi 150 milionë eurosh, apo zgjidhjet e zbatuara në Austri, Çeki, Hungari dhe Gjermani, kanë reduktuar ndjeshëm dëmet nga përmbytjet.
Në të njëjtën kohë, masa më të vogla, si ndërtimi i mureve mbrojtëse pranë banesave ose përshtatjet arkitektonike në bodrume, kanë treguar efektshmëri të ngjashme me investimet e mëdha.
Novacion, bashkëpunim dhe operim me bazë të dhënash
Një nga mesazhet kryesore të Baden-Baden 2025 është se “të dhënat janë po aq të rëndësishme sa kapitali”.
Industria e sigurimeve dhe risigurimeve duhet të zhvillojë sisteme të integruara të “location intelligence” për të vlerësuar me saktësi riskun në çdo zonë, të modernizojë modelet klimatike duke lidhur analizën e riskut fizik me atë financiar, si dhe të forcojë bashkëpunimin me institucionet publike për hartimin e standardeve të ndërtimit, hartave të përmbytjeve dhe vlerësimeve mjedisore.
Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një sistem më i qëndrueshëm dhe parandalues përballë rreziqeve natyrore që po shtohen çdo vit.
Shqipëria
Në Shqipëri mbahet parasysh se rreziku kryesor janë zjarret. Ndaj, përfaqësuesit në takim nga SIGAL IG dolën në konkluzionin se është koha të mendojmë seriozisht se çfarë duhet bërë dhe si duhet vepruar, duke marrë shembull nga përvojat e suksesshme dhe drejtimet që u parashtruan si zgjidhje në Baden-Baden 2025.
Sipas raportit të Swiss Re, sfidat klimatike tanimë janë realitet. Bashkëpunimi i thelluar, inovacioni qëndrueshëm dhe vendimmarrje e mirëbazuar në të dhëna do të jenë tre faktorët ndihmues.
SIGAL, si grup i mirëintegruar sigurimesh në rajon, ka mundësinë të pozicionohet si lider në këtë drejtim, duke ndërtuar ura midis sigurimit, risigurimit dhe menaxhimit të riskut klimatik.
Në këtë drejtim SIGAL Insurance Group do të tregohet e pakursyer dhe strategjitë e diskutuara nga ekspertët ndërkombëtare shpejt do të zbërthehen në taktika dhe operacione konkrete nga kompania më e madhe dhe më e besuar e sigurimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.




