Dollari amerikan po qëndron në nivelin më të lartë në 2 muajt e fundit, edhe në sesionin e sotëm, pasi vonesat në negociatat për rritjen e tavanit të borxhit në SHBA kanë rritur kërkesën e investitorëve për asete të sigurta.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, paralajmëroi se qeveria federale nuk do të ketë mjaftueshëm para për të paguar detyrimet e saj, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 qershor. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 103.5, niveli më i lartë në 2 muajt e fundit. gjatë muajit maj, ky indeks është rritur me rreth 2%.
Ndërkohë, një tjetër mbështetje dollarit po e gjen edhe nga rritja e mundësive që Rezerva Federale të shtrëngojë sërish politikën monetare në takimin e qershorit. Investitorët vlerësojnë 27% mundësi, që banka qendrore të rrisë edhe me 25 pikë bazë, normën bazë të interesit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka zbritur sërish poshtë 27 mijë dollarëve dhe po tregtohet në rreth 26,700 dollarë. Ethereum po tregtohet në rreth 1820 dollarë.