Në Rumani, sigurimi i detyrueshëm kundër fatkeqësive natyrore, funksionon përmes një pool-i me kapital privat, dhe jo shtetëror.
Shteti vetëm sa nxiti dhe ndërmjetësoi këtë pool.
Në relacionin paraprak të projektligjit në diskutim publik, thuhet se modeli i marrë si orientim ishte ai rumun.
Por a është identik ashtu modeli rumun? Në fakt jo.
Pool-i i Sigurimit Kundër Fatkeqësive Natyrore në Rumani funksionon si një shoqëri sigurimi-risigurimi me kapital privat.
Ky grupim u krijua përmes bashkimit të disa shoqërive të sigurimit me qëllim lidhjen e sigurimeve të detyrueshme për banesat, në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 260/2008.
Pool-i i Sigurimit Kundër Fatkeqësive Natyrore u themelua si shoqëri sigurimi në muajin nëntor 2009, përmes bashkimit të 13 shoqërive të sigurimit.
13 shoqëritë rumune ishin Ardaf, ABC Asigurări, Astra Asigurări, Carpatica Asig, Certasig, City Insurance, Credit Europe Asigurări, Euroins România, Generali, Grawe România, Groupama România, Platinum Asigurări dhe Uniqa Asigurări, të cilat njëherësh janë aksionerët e Pool-it të Sigurimit Kundër Fatkeqësive Natyrore.
Sipas parashikimeve të ligjit, Pool-i i Sigurimit Kundër Fatkeqësive Natyrore administron sistemin e sigurimit të detyrueshëm të banesave, i cili mbulon tre rreziqe bazë karakteristike për Rumaninë: tërmetin, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
Aktiviteti i kësaj shoqërie sigurimi filloi në shkurt të vitit 2010, ndërsa dita e parë e lëshimit të policave të sigurimit të detyrueshëm për banesat ishte 15 korrik 2010.
Primi vjetor në Rumani është 130 RON (rreth 26 EURO) për banesat e tipit A — banesa të ndërtuara me beton të armuar, struktura metalike ose druri, ose me mure të jashtme prej guri, tulle të pjekur apo materiale të tjera të trajtuara — duke ofruar një shumë të siguruar prej 100,000 RON (rreth 20,000 EURO).
Për banesat e tipit B, të ndërtuara me materiale të patrajtuara si qerpiçi ose tulla të papjekura, primi vjetor është 50 RON (rreth 10 EURO), me një shumë të siguruar prej 50,000 RON (rreth 10,000 EURO).




