Koment nga Stefani Jon Kurtin
Stefani Jon-Kurtin (Stéphanie Yon-Courtin), për raportin vjetor 2024-2025 të Insurance Europe, pati shkruar një koment me titullin origjinal: Heqja e shtresave të tepërta nga “mille-feuille”. Një recetë për rregullim më të mirë.
Për të saktësuar, mille-feuille” përdoret këtu si metaforë për rregullat e shumta dhe të mbivendosura; mund të përkthehet edhe si “shkrirja e shtresave të tepërta” ose “thjeshtimi i shtresëzimeve të panevojshme” sipas kontekstit.
Këtë artikull e përshtatëm në shqip dhe po e sjellim ekskluzivisht për Sigurime.Online. Stefani Jon-Kurtin, është anëtare e Parlamentit Evropian, deputete franceze dhe në profesion juriste, njëherësh eksperte e tregjeve financiare.
Në Bashkimin Evropian të sotëm, rregullimi është thelbësor për të mbrojtur vlerat tona, për të garantuar të drejtat e konsumatorëve dhe për të siguruar konkurrencë të ndershme. Por në shumë sektorë dhe mes qytetarëve, po rritet shqetësimi: mjedisi rregullator po bëhet gjithnjë e më kompleks, i fragmentuar dhe, herë pas here, kontradiktor.
Ky mbishtresëzim i rregullave të mbivendosura ndër vite, sot po mbyll më shumë dyer sesa po hap.
Ajo që fillimisht u mendua për të sjellë rend dhe mundësi, po kthehet në një sistem të vështirë për t’u përtypur.
Edhe legjislacioni me synime të mira mund të dështojë nga pesha e tepërt e kompleksitetit.
Rregullat shumë të ndërlikuara ulin transparencën, rrisin kostot e zbatimit dhe vonojnë implementimin.
Thënë thjesht: kompleksiteti e dobëson efektivitetin.
Prandaj, në zemër të këtij mandati politik qëndron një prioritet i qartë: thjeshtësimi.
Qëllimi nuk është të hiqen rregullat, por të krijohen rregulla më të zgjuara dhe të drejtuara më mirë.
1. Thjeshtësim, jo çrregullim
Thjeshtësimi nuk do të thotë të anashkalosh rregullat, por të heqësh kompleksitetin.
Qëllimi nuk është të kemi më pak rregulla, por rregulla më të mira, të cilat janë praktike, të zbatueshme dhe të kuptueshme. Kjo u shërben si bizneseve, ashtu edhe qytetarëve. Nëse duam të rrisim konkurrueshmërinë e Evropës, duhet ta bëjmë zbatimin e rregullave më të thjeshtë.
2. Rregulla që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe bizneseve
Rregullat nuk janë vetëm rreshta në letër, ato janë mjete që mund të përmirësojnë jetën.
Bashkimi Evropian përballet me një mungesë të theksuar investimesh, më shumë se 800 miliardë euro në vit për tranzicionin e gjelbër, digjital dhe mbrojtjen.
Fondet publike nuk mjaftojnë.
Për të tërhequr kapital privat, nevojiten rregulla të qarta dhe të qëndrueshme.
Kjo është pikërisht ajo që synon të arrijë Unioni i Kursimeve dhe Investimeve (SIU), por kjo mund të ndodhë vetëm nëse legjislacioni është i thjeshtë dhe i zbatueshëm.
3. Thjeshtësimi është vizion për të kaluarën dhe të ardhmen
Thjeshtimi nënkupton që çdo ligj – i vjetër apo i ri – të ketë ndikim të vërtetë. Duke analizuar ku ndodhemi dhe ku duam të shkojmë, mund të përmirësojmë sistemin ekzistues.
Shembull është Strategjia për Investimet me Pakicë, që kërkon finalizim përmes një qasjeje të thjeshtuar që fuqizon qytetarët dhe investimin.
Thjeshtimi nuk është një ushtrim i përkohshëm, është një metodë dhe një angazhim që duhet zbatuar sot dhe nesër, në të gjithë legjislacionin.
Rregullimi më i mirë sjell rezultate më të mira. Nëse arrijmë të thjeshtojmë, nuk po thjeshtojmë thjesht për hir të lehtësisë, po forcojmë aftësinë e Evropës për të udhëhequr.
Thjeshtimi nuk është një trend, është një përgjegjësi.
Vetëm përmes këtij angazhimi mund të ndërtojmë një mjedis ligjor që rikthen besimin, nxit investimet dhe rrit konkurrencën për një Evropë më të fortë dhe të gatshme për të ardhmen.
Shënim i Sigurime.Online
Komenti i deputetes së Parlamentit Evropian ishte përfshirë në raportin vjetor të Insurance Europe, sepse pikërisht thjeshtimi i legjislacionit për tregun e sigurimeve, ishte një nga 5 sfidat kryesore të evidentuara në sektor.