Instituti i Statistikave publikon rezultatet përfundimtare të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 në nivel Qarku dhe Bashkie.
Gjatë një interviste për Klan News, drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli tha se këto rezultate sjellin të dhëna më të detajuara mbi strukturën demografike dhe karakteristikat socio-ekonomike të vendit tonë.
Popullsia e Shqipërisë sipas Censit të 2023, rezulton se është 2 milionë e 402 mijë banorë. Por veç reduktimit, popullsia në vendin tonë po plaket me ritme të shpetja.
Të dhënat e Censit tregojnë se mosha mesatare e popullsisë ka arritur në 42.5 vjeç duke u rritur me 7 vjet nga viti 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.
Përqëndrimi i popullsisë është veçanërisht në Tiranë, Fier, Elbasan dhe Durrës. Një e treta e popullsisë shqiptare, 31.6% banon në qarkun e Tiranës, konkretisht 758,613 banorë, nga 26.8% që jetonin në 2011. Këtu është përqendruar dhe mosha më aktive e popullsisë. Sepse rezulton se 403 022 banorë janë të moshës 15-64 vjeç.
Bashkia e Tiranës në vetvete në këto 12 vite është rritur me vetëm 40 mijë banorë, pasi ka 598 176 banorë. Në këtë bashki vihet re një prezencë e madhe e femrave të cilat përbëjnë rreth 52% të popullsisë, pasi janë 310 mijë femra, ndërsa 288 mijë janë meshkuj.
Me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie përgjatë periudhës 2011-2023 në të gjitha qarqet. Shkodra ka reduktim të popullsisë me 28,3 % duke sjellë një ulje të popullsisë së qarkut në 154 mijë.
Më pas renditet qarku Kukës me një reduktim të popullsisë me 27,3%, duke u renditur pas Gjirokastrës, me numrin më të vogël të popullsisë prej 61 mijë banorësh.
Tkurrje kanë pësuar edhe njësitë-familje, madhësia mesatare është 3.2 anëtarë, pra familja të përbëra kryesisht nga prindërit dhe një fëmijë. Në total janë 755.950 njësi ekonomike familjare.