Gati e një e treta e popullsisë së rritur në Shqipëri kufizohet në aktivitetet e përditshme për shkak të problemeve shëndetësore.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se 29.9% e popullsisë mbi 16 vjeç në Shqipëri nuk kryen rutinën e përditshme për shkak të sëmundjeve, përqindja më e lartë në Europë.
Në vend të dytë renditet Letonia me 28.9 për qind të popullsisë, Finlanda me mbi 28.6%, Danimarka me mbi 27% e etj.
Serbia kishte përqindjen më të ulët të popullsisë (vetëm 8% e saj) që pengohen nga shëndeti për të bërë jetën që duan. Më tej maqedonasit me 8.9%, Suedia me 9% dhe Mali i Zi me 10.5 për qind të popullsisë.
Por shqiptarët kanë perceptime kontradiktore për shëndetin.
Po sipas të dhënave të Eurostat që bazohen në anketat kombëtare të vendeve 54% të shqiptarëve perceptojnë shëndet shumë të mirë, kjo është përqindja më e lartë në Europë, por kur pyetën nëse shëndetësi është pengesë në rutinën e tyre, përsëri shqiptarët janë shumicë, duke pranuar se, aspekte të jetës së tyre kufizohen nga sëmundjet.
Si një vend më përqindjen më të lartë të varfërisë në Europë, Shqipëria ka një sistem shëndetësor të nën-financuar, një popullsi në plakje, me një trend sëmundjesh në rritje nga mungesa e diagnozave në kohë, akses i mangët në shërbime shëndetësore dhe kultura e dobët për kujdesin shëndetësor.
Vendi ynë financon vetëm 3% të PBB-së për shëndetësinë, një nga nivelet më të ulëta në Europë. Aksesi në barna dhe terapitë novatore të mjekimit është shumë i ulët.
Një studim tjetër i vitit 2021 gjeti se, konsumi i ilaçeve për frymë është 35 euro në Shqipëri, kur në vendet e Adriatikut, është 158 euro.
Në listën shqiptare të rimbursimit janë vetëm 255 molekula, ndërsa në vendet e Adriatikut, 962 molekula.
Hendeku më i madh vërehet në onkologji ku vetëm 40 nga 165 (24%) molekula rimbursohen me hendek 75% ndaj konsumit të Adriatikut për frymë.
Buxheti i Fondit të Sigurimit Shëndetësor (FSDKSH) është rritur vit pas viti, por rritja më së shumti ka shkuar për financimin e kontratave me Partneritet Publik-Privat si kontrolli mjekësor bazë (check-up, sterilizimi i mjeteve kirurgjikale, dializa dhe së fundmi laboratori).
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria mbulon vetëm 70% të popullsisë së saj nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm. /Monitor
LEXO EDHE: Përse na duhet një Sigurim Privat Shëndeti