Nisi sot në Antalia edicioni i dytë i Panairit dhe Kongresit Ndërkombëtar të Sigurimeve, një event që synon të sjellë së bashku profesionistët e sektorit, duke rritur bashkëpunimin e tyre dhe duke rritur shkallën e depërtimit të sigurimeve në shoqëri.
Panairi dhe Kongresi Ndërkombëtar i Sigurimeve zhvillohet me pjesëmarrjen e kompanive të sigurimit, shoqërive të risigurimeve, ndërmjetësve të sigurimeve, organizatave të lidhura me sigurimet, sektorit privat, institucioneve universitare-kërkimore, pushteteve vendore, organizatave joqeveritare dhe organizatave të tjera kombëtare.
Krahas mbajtjes së sesioneve të nivelit të lartë për sektorin e sigurimeve, janë programuar edhe takime dhe marrëveshje bashkëpunimi dy dhe shumëpalëshe, përcjell Sigurime.Online.
Dita e parë:
- Sigurimi i qëndrueshëm në të ardhmen
Temat kryesore të panelit të moderuar nga znj. Dilek SAKALLIOĞLU, Zv/Presidente e SEDDK ishin dixhitalizimi dhe teknologjia, kapitali i fortë, kënaqësia e klientëve, menaxhimi i biznesit të bazuar në të dhëna, arsimi dhe punësimi, klima dhe mjedisi.
Diskutimeve të panelit do ti bashkohen edhe folës të tjerë.
- Roli drejtues i kompanive në të ardhmen
Nën moderimin e gazetarit të NTV Noyan Doğan u diskutua për perspektivat e sektorit të sigurimeve për dekadat e ardhshme, duke prekur tema si: konkurrenca e qëndrueshme, strukturimi afatgjatë i sektorit, sfidat dhe mundësitë, roli dhe ndikimi i agjentëve të shpërndarjes etj.
Folës në panel ishin Yavuz ÖLKEN, Drejtor i Përgjithshëm, AXA; Şenol ORTAÇ, Drejtor i Përgjithshëm, Hepiyi Sigorta; Murat ŞİŞLİ, Drejtor i Përgjithshëm, CORPUS dhe Prof. Dr. Özgür AKPINAR.
- Qëndrueshmëria dhe plakja në shëndet
Dita e parë do të mbyllet me një panel të moderuar nga Emine Feray SEZGİN, Presidente e SEDDK Group, duke u fokusuar në gjendjen aktuale të sigurimit të jetës dhe pensioneve private, sfidat, planifikimin e vizionit dhe rritjen e shkallës së depërtimit të këtyre produkteve financiare.
Pika kyçe mes rolit të luajtur nga sektori i shëndetësisë dhe industria e sigurimeve në ruajtjen e shëndetit publik ishte gjithashtu një nga temat e panelit.
Paneli formohej nga Elvan ATALAY, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm, Qucik Sigorta; Şenol Serkan ŞENTÜRK, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm, TSB; Taylan MATKAP, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm, Anadolu Sigorta, Dr.Kemal AYDIN, President i Këshillit Botëror për Plakjen dhe Cemal ÖZKAN, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Spitalit Yaşam.
Dita e dytë e aktivitetit do të presë, ndër të tjera, një panel të madh kushtuar tregjeve euroaziatike, si dhe disa diskutime të tjera mbi shpërndarjen e sigurimeve, sigurimet bujqësore dhe burimet njerëzore të industrisë.