8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreKryesoreNgrohja globale me 3°C, diçka e mundshme dhe vërtet katastrofike

Ngrohja globale me 3°C, diçka e mundshme dhe vërtet katastrofike

Ulja e emetimeve të gazrave serë mund të zvogëlojë rreziqet, por nuk mund t’i eliminojë ato, shkruan The Economist.

Sipas standardeve të shekullit XXI, është thuajse e sigurt se viti 2021 do të konsiderohet si një vit me mot relativisht të freskët. Por sipas standardeve të pjesës tjetër të historisë së njerëzimit, moti i këtij viti është një ferr në Tokë.

Më 20 korrik, ndërkohë që shtete si Belgjika, Gjermania, Holanda dhe Zvicra po përballonin ende përmbytjet masive që kthyen qytete të tëra në lumenj dhe shkatërruan territoret e fshatrave përreth, me qindra mijë njerëz në provincën kineze Henan, u evakuuan nga përmbytjet; në qytetin Zhengzhou, vetëm brenda tri ditësh, ra një sasi shiu sa për një vit.

Gjithashtu më 20 korrik, në Cizreza, Turqi, u regjistrua temperatura 49.1°C (120°F), më e larta e regjistruar ndonjëherë në vend. Përgjatë bregdetit verior të Paqësorit në Amerikën e Veriut, ku sapo ka kaluar vala e madhe e nxehtësisë që nisi dy javë më parë, tashmë pritet një valë tjetër.

Vende të tjera në lartësi të ngjashme mbi nivelin e detit kanë përjetuar mjaft anomali të tilla. Në gjysmën e parë të muajit, Finlanda përjetoi valën më të gjatë të të nxehtit në të paktën 60 vjet, ku temperaturat u rritën deri në 30°C në Lapland. Më 14 korrik, vendi përjetoi natën më të nxehtë në histori: 24.2°C.

Lexo edhe: Sigurohuni me zgjuarsi kundër katastrofave natyrore

Më 11 korrik, një termometër i Shërbimit Kombëtar të Motit në Furnace Creek në Death Valley, regjistroi temperaturën 54°C. Nëse konfirmohet nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), kjo temperaturë do të arrinte rekordin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në të njëjtin vend, që u shënua vitin e kaluar. Më 19 korrik, më shumë se 40% e pjesës së sipërme të akullit të Groenlandës, kishte ujë të shkrirë. Sasia e mbulesës së akullit të detit në Arktik, ishte po aq e ulët sa në të njëjtën pikë në vitin 2012, kur u regjistrua sasia më e ulët e akullit në histori, në periudhën e verës.

Kjo është gjendja që krijohet në Tokë, kur, sipas të dhënave më të fundit nga WMO, temperatura është 1.1-1.3°C më e ngrohtë se sa ishte para shpikjes së motorit me avull. Marrëveshja e Parisit e vitit 2015, ishte një zotim për të kufizuar rritjen e ngrohjes globale “nën nivelin 2°C” mbi temperaturën e periudhës para-industriale, dhe në një skenar ideal, temperatura nuk duhet të rritet më shumë se 1.5°C.

Ky objektiv i dytë më i rreptë u kërkua veçanërisht nga ishujt e vegjël, të cilët e shohin si një kërcënim ekzistencial sasinë e ngritjes së nivelit të detit nga rritja e temperaturës me dy gradë. Një raport nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, zbuloi se ndryshimi midis këtyre dy objektivave, edhe nëse në teori nënkupton vetëm 10 cm rritje shtesë të nivelit të detit deri në vitin 2100, do të kërcënonte me miliona jetë. Krahasuar me ngrohjen prej 1.5°C, rritja e temperaturës me 2°C do të ekspozonte edhe 420 milionë njerëz shtesë ndaj nxehtësisë ekstreme. Dhe do të shkatërronte mbulesat e akullit në Arktik.

Objektivat e Marrëveshjes së Parisit ishin dhe mbeten njëkohësisht të matura dhe tepër ambicioze. Menjëherë pas konferencës, një OJQ e quajtur Climate Action Tracker (CAT), vendosi të mblidhte në total të gjitha objektivat e reduktimit të emetimeve dhe politikat e tjera për mbrojtjen e klimës, si standardet e efikasitetit të karburantit për makinat dhe kamionët dhe synimet e energjisë së rinovueshme, që ishin përcaktuar nga kombe të ndryshme.

Për të vlerësuar ndikimin e përgjithshëm të këtyre masave, CAT llogariti përqendrimet atmosferike të dioksidit të karbonit që ato mund të prodhonin dhe më pas përdori rezultatet e modeleve të klimës për të parë se çfarë mund të nënkuptojnë këto përqendrime për sa i përket ngrohjes së klimës. Rezultatet treguan se deri në vitin 2100, Toka do të ishte 2.7°C më e nxehtë se në periudhën para-industriale.

Pasiguritë

Njerëzit që negociuan Marrëveshjen e Parisit ishin plotësisht të vetëdijshëm për këtë kontradiktë. Ata prisnin ose shpresonin, se shtetet do të bënin premtime të reja dhe më ambicioze me përparimin e teknologjisë, duke besuar se të gjithë ishin të angazhuar drejt të njëjtit qëllim dhe se koordinimi ndërkombëtar do të përmirësohej edhe më tepër.

Ka prova se kjo po ndodh vërtet. Premtimet e rishqyrtuara të paraqitura zyrtarisht në OKB gjatë 12 muajve të fundit, në prag të konferencës COP26 që do të mbahet në nëntor, e kanë rrëzuar paksa parashikimin e organizatës CAT.

Nëse përmbushen të gjitha premtimet dhe objektivat e qeverive, ngrohja mund të mbahet deri në nivelin 2.4°C. Po të përfshijmë këtu edhe objektivat që janë njoftuar publikisht, por ende nuk janë përfshirë zyrtarisht në Marrëveshjen e Parisit, të tilla si zotimi i Amerikës për emetime neto zero deri në vitin 2050 dhe premtimi i Kinës për të eliminuar karbonin deri në vitin 2060, atëherë rritja e temperaturës mund të mbahet deri në nivelin 2.0°C.

Kjo tingëllon mjaft premtuese. Por ka pasiguri të mëdha. Së pari, ky vlerësim përfshin politikat që janë shpallur publikisht nëpër media, por nuk janë miratuar. Nëse do të ndiqeshin vetëm politikat që janë aktualisht në zbatim, sipas CAT, temperatura do të rritej me 2.9°C (Programi i mjedisit i OKB-së, i cili ndjek hendekun midis emetimeve aktuale dhe atyre që do të përmbushnin objektivat e Marrëveshjes së Parisit, ofron një shifër disi më të lartë). Pothuajse të gjithë presin ose shpresojnë që politikat të shtrëngohen, të paktën disi. Por çdo parashikim i arsyeshëm i së ardhmes, duhet të marrë parasysh edhe se çfarë mund të ndodhë nëse politikat nuk shtrëngohen.

Nga ana tjetër, pasiguritë janë të shumta dhe të ndryshme. Transformimi i deklaratave politike në gigatonë të dioksidit të karbonit, nuk është një shkencë e saktë. Gjithashtu, askush nuk mund ta dijë nëse shtetet do t’u qëndrojnë besnikë zotimeve që kanë bërë, dhe as nuk mund të jenë të sigurt nëse këto politika do të sjellin uljet e pretenduara.

Dhe megjithëse nuk ka dyshim se gazrat serë ndikojnë në klimë dhe në rritjen e temperaturave në botë, vështirësitë në zgjidhjen e ngërçeve të ndryshme dhe efektet komplekse kundërvepruese, tregojnë se mbetet një pasiguri e konsiderueshme në lidhje me pyetjen se sa ndikon vërtet një sasi e caktuar gazi serë në ndryshimin klimatik.

Kjo pasiguri tregon se parashikimet e mundshme të kryera nga CAT dhe grupe të tjera, kanë probabilitet të lartë gabimi. Llogaritjet e ngrohjes maksimale të temperaturës nëse përmbushen objektivat ekzistues dhe premtimet e mbajtura, tregojnë se ka një shans prej 68% për një temperaturë kulmore midis nivelit 1.9°C dhe 3.0°C (shih grafikun 1).

Po të përfshijmë këtu skenarin se Amerika do të arrijë emetimet neto zero deri në vitin 2050, diapazoni i probabilitetit 68% të rritjes së temperaturës, shkon nga 1.6°C në 2.6°C. Kjo përshtatet edhe me parashikime të tjera. Sipas llogaritjeve nga Joeri Rogelj dhe kolegët e tij në Imperial College London, edhe skenarët e emetimeve zero që rrisin mundësinë për të qëndruar nën nivelin 2.0°C, gjithashtu përfshijnë një shans të vogël të rritjes së temperaturës deri në 2.5-3.0°C. Ky shans është më pak se 1 në 10, por më shumë se 1 në 20.

Të përgatitemi për më të keqen

Siç mund të shohim pra, një botë 3°C më e ngrohtë, është një rezultat mjaft i mundshëm nëse nuk bëhet asgjë më shumë dhe prapë është më e keqja që mund të ndodhë, edhe nëse gjërat shkojnë mjaft mirë. Prandaj një skenar i tillë ia vlen të studiohet me hollësi, dhe rezultatet janë vërtet alarmante. Studiuesit që parashikojnë ndikimet e klimës, kanë argumentuar prej kohësh se këto efekte nuk rriten në mënyrë lineare.

Sa më tepër që rriten temperaturat nga nivelet para-industriale, aq më shpejt rritet edhe shkalla e dëmeve. Dhe ndërkohë që dukuri të rralla kthehen në të zakonshme, fillojnë të shfaqen më pas edhe dukuri të tjera të papërjetuara ndonjëherë më parë (shih grafikun 2). Duke gjykuar nga rezultatet e studimeve specifike, ndryshimet midis nivelit të rritjes së temperaturës me 2°C dhe 3°C janë shumë më të ashpra sesa ato ndërmjet nivelit 1.5°C dhe 2°C.

Ashtu si bota e sotme nuk është në mënyrë të njëtrajtshme 1.2°C më e ngrohtë se periudha para-industriale, ashtu edhe në të ardhmen, një botë ku temperatura është rritur me 3°C, nuk do të jetë në mënyrë të njëtrajtshme 1.8°C më e ngrohtë se sot (shih grafikun 3).

Disa rajone, kryesisht oqeanet dhe zonat e Amerikës së Jugut, do të ngrohen më pak; të tjerë do të nxehen shumë. Arktiku, përfshirë Kanadanë e Veriut, Siberinë dhe Skandinavinë, do të pësojnë barrën më të madhe të ngrohjes. Disa rajone më të populluara do të vuajnë gjithashtu nga rritja e temperaturave mbi nivelin mesatar. Sipas një studimi, temperaturat mesatare në Rusi, Kinë dhe Indi do të rriten përkatësisht me 4-5°C, 3.5-4.5°C dhe 3-5°C.

Temperaturat më të ngrohta rajonale do të sjellin valë më të shpeshta dhe më ekstreme të nxehtësisë, duke përfshirë disa rajone në Amerikën e Veriut, Europë dhe Azi që kanë pak përvojë, ose aspak përvojë me dukuri të tilla. Një studim i publikuar në vitin 2018, që krahasonte sesi ngrohja globale me 1.5°C, 2°C dhe 3°C do të ndikonte në rajonet europiane, zbuloi se netët “tropikale” ku temperaturat qëndrojnë mbi 20°C nga muzgu deri në agim, që aktualisht janë tipike për vijat bregdetare mesdhetare, do të bëheshin një dukuri e rregullt në Baltik. Është pikërisht mungesa e freskisë së mjaftueshme gjatë natës që në përgjithësi nxit vdekjet gjatë valëve të nxehtësisë.

Sado i madh që do të ishte një ndryshim i tillë, njerëzit në vendet e pasura mund të përshtaten. Çatitë e gjelbra, spërkatësit e ujit dhe përmirësimi i rrjeteve të kondicionimit mund të ndihmojnë. Njerëzit mund të kalojnë më shumë kohë brenda banesave gjatë muajve të verës. Megjithatë, punëtorët e ndërtimit, punëtorët e fermave dhe të tjerë, punët e të cilëve janë fizike dhe kryhen kryesisht jashtë, do të vuanin në mënyrë joproporcionale, ashtu si dhe ata persona që nuk mund të përballojnë me lehtësi kostot shtesë të instalimit dhe funksionimit të kondicionerëve.

Rreziqet nga Tropiku

Dhe kjo nuk është asgjë në krahasim me dëmin që mund të shkaktojë rritja e nxehtësisë në tropikun e lagësht. Trupi i njeriut freskohet përmes avullimit të djersës dhe në kushte lagështie, avullimi bëhet më i vështirë. Temperatura “wet-bulb” (llamba e lagësht) është një masë që reflekton pikërisht vështirësinë e ruajtjes së freskisë, për shkak të kombinimit të nxehtësisë dhe lagështisë.

Me përjashtim të lagështisë relative 100%, temperatura “wet-bulb” është gjithmonë më e ulët se temperatura e jashtme; në ajër të thatë, temperatura 54°C në Death Valley, korrespondon me një temperaturë “wet-bulb” rreth 20-25°C. Temperaturat “wet-bulb” mbi 30°C janë të rralla. Dhe kjo është një gjë e mirë. Sepse nëse kjo temperaturë arrin 35°C, është thuajse e pamundur që trupi të freskohet, veçanërisht gjatë ushtrimeve fizike.

Temperaturat “wet-bulb” që i afrohen ose tejkalojnë nivelin 35°C janë regjistruar shumë rrallë, kryesisht në kufirin Indi-Pakistan, rreth Gjirit Persik dhe Gjirit të Meksikës. Por nuk raportohen të gjitha rastet. Një rianalizim i të dhënave të stacioneve të motit, publikuar në vitin 2020, zbuloi se nxehtësi të tilla ekstreme, në fakt ndodhin më shpesh sesa është regjistruar, kryesisht në rajone shumë të populluara të zonave tropikale. Studimi zbuloi gjithashtu se shpeshtësia është dyfishuar që nga viti 1979.

Richard Betts, studiues i klimës në Met Office në Britani, i cili ka udhëhequr disa sondazhe mbi ndikimin e ngrohjes globale, thotë se përtej rritjes së temperaturës me 2°C, disa rajone të vogla, por të populluara dendur të Indisë, rrezikohen në mënyrë vdekjeprurëse nga temperaturat e larta “wet-bulb”. Përtej rritjes me 2.5°C, ai thotë se “pothuajse të gjitha vendet tropikale do të përjetojnë nivele ekstreme të nxehtësisë për shumë ditë, javë apo edhe disa muaj në vit”.

Në vende më pak të lagështa, nxehtësia shteron burimet ujore. Një analizë që parashikon mungesën e ujit në rast të rritjes së temperaturës me 1.5°C, 2°C dhe 3°C, zbuloi se dy të tretat e njerëzimit do të përjetojnë thatësira më të mëdha me ngrohjen e klimës. Në rast të rritjes së temperaturës me 3°C, periudhat e thatësirës që deri tani janë konsideruar si ngjarje të jashtëzakonshme që ndodhin 1 në 100 vjet, parashikohet të ndodhin çdo dy deri në pesë vjet në pjesën më të madhe të Afrikës, Australisë, Europës Jugore, pjesës jugore dhe qendrore të Shteteve të Bashkuara, Amerikës Qendrore, Karaibeve dhe në disa zona të Amerikës së Jugut.

Na pret një mot i padurueshëm

Thatësirat e rastit mund të trajtohen duke përdorur rezervuarë ose ujëra nëntokësorë. Por kur ato zgjasin dhe/ose janë të shpeshta, alternativa të tilla nuk mjaftojnë. Si rezultat, disa parashikime tregojnë se në skenarin e rritjes së temperaturës me 3°C, më shumë se një e katërta e popullsisë së globit, do të ekspozohet ndaj kushteve ekstreme të thatësirës, për të paktën një muaj në vit.

Thatësirat e mëdha në Kaliforni, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me ujë për konsum, kanalizimet dhe ujitjen, si dhe kanë nxitur shpërthimin e një numri rekord zjarresh, janë një shembull që tregon se me çfarë vështirësish mund të përballen pjesë të tëra të planetit në të ardhmen. Situata duket më e rëndë po të marrim parasysh se pengesa të tilla të krijuara nga thatësira kanë qenë një sfidë e madhe edhe për një nga shtetet më të pasura të Amerikës (megjithëse me një numër të lartë të njerëzve të varfër).

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se çdo e korrur është në rrezik nga valët e nxehtësisë, apo se bota do të përballet me një mungesë strukturore të ushqimit. Disa toka të punueshme do të ndihmohen nga rritja e dobishme e reshjeve.

Zonat me klimë të butë do të përfitojnë nga zgjatja e stinëve të ngrohta, dhe disa të korrura do të përfitojnë nga nivelet më të larta të dioksidit të karbonit, që është lënda e parë për kryerjen e fotosintezës. Megjithëse Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (IPCC) vlerëson se çmimet e drithërave mund të jenë 29% më të larta në kushtet e ngrohjes së klimës me 3°C, duke vënë si pasojë 183 milionë njerëz në rrezik të vuajtjes nga uria, paneli gjithashtu nuk e përjashton mundësinë që çmimet të mos ndryshojnë fare.

Por në përgjithësi, do të ketë një rrezik shumë më të lartë krizash, të cilat përkeqësohen nga reagimet e panikut. Në verën e vitit 2010, në Rusi, prodhuesi i tretë më i madh i grurit në botë, u thyen rekorde të temperaturës që nuk kishin ndryshuar që nga vitet 1880 dhe temperaturat qëndruan rreth 40°C për javë të tëra. Të korrurat e grurit ranë me rreth një të tretën. Rusia ndaloi eksportet në mënyrë që të ruante furnizimin e saj. Kjo çoi në rritjen e çmimeve në tregjet globale të ushqimit, që shkaktuan trazira civile në disa vende me të ardhura të ulëta.

Politika më të matura do të kishin ndihmuar. Por mundësitë për panik nga tronditjet e zinxhirëve ushqimorë, pa dyshim që do të rriten. Një studim i sponsorizuar nga Zyra e Jashtme Britanike e Komonuelthit dhe Zhvillimit, parashikoi se gjasat e një vale ekstreme nxehtësie, të aftë për të zhdukur të korrurat e orizit në jug të Kinës në një vit të caktuar, ishin 1 në 100 në rast të ngrohjes së klimës me 1°C, por një në dhjetë në rast të ngrohjes me 2-3°C.

Pyetja sesi do të jetë niveli i detit në rast të ngrohjes me 3°C, varet se sa shpejt do të ndodhë rritja e nxehtësisë. Për shkak se shkrirja e akullit kërkon kohë dhe ngrohtësia depërton ngadalë në thellësitë e oqeaneve, niveli i detit nuk do të rritet aq shpejt sa rritja e temperaturave në sipërfaqe të Tokës.

Ajo që ka më shumë rëndësi është niveli i detit në një periudhë afatgjatë. Akullnaja e Antarktidës Perëndimore, që deri para një dekade konsiderohej mjaft e qëndrueshme, po shkatërrohet në skajet e saj. Ka prova në rritje që tregojnë se në rast të ngrohjes globale me 2°C, akullnaja do të fillonte të shkrihej plotësisht. “Nëse kjo ndodh, provat tregojnë se shkalla e humbjes së akullit nga Antarktida Perëndimore do të rritet në mënyrë dramatike”, thotë Nerilie Abram nga Universiteti Kombëtar i Australisë.

Efektet e plota shkatërruese të një fenomeni të tillë – ndoshta ngritja e nivelit të detit me 1.6 metra – nuk do të ndiheshin për një shekull, ose edhe më shumë. Por shkalla e ndryshimit do të rritet shumë më shpejt se kaq. “Në trajektoren tonë aktuale të klimës – thotë doktor Abram, – ne mund të presim një ndryshim shumë të shpejtë brenda vetëm disa dekadash”.

Në një botë 3°C më të ngrohtë, shqetësime të ngjashme vlejnë edhe për Groenlandën.
Qytetet, apo edhe vendet e ulëta, të cilat duhet të alarmohen ndaj mundësisë së rritjes së nivelit të detit me 30-90 centimetra deri në vitin 2100, rrezikojnë katër ose pesë herë më tepër se vendet e tjera.

Ashtu si me temperaturat “wet-bulb”, vjen një pikë kur përshtatja nuk mund të ofrojë shumë shpresë, pasi bota ka arritur pragun e ngrohjes me 3°C. Dhe nëse jetët mund të shpëtohen, vendet dhe territoret nuk shpëtohen dot. Qytetet bregdetare që tani janë shtëpia e qindra miliona njerëzve, do të ndryshonin plotësisht ose do të zhdukeshin fare. As kulturat autoktone apo pyjet e Arktikut nuk mund të mbijetojnë dot në formën e tyre aktuale. Një pjesë e mirë e Tokës në formën aktuale, do të harrohej, ose do të humbiste.

Duhet gjetur një rrugëdalje

Kufijtë e përshtatjes vlejnë edhe për natyrën. Speciet e kafshëve dhe bimëve përshtaten me ngrohjen e klimës duke u zhvendosur në klimat më të freskëta atëherë kur është e mundur. Tashmë peshqit janë në lëvizje, disa specie po largohen nga ujërat tropikalë drejt klimave më të buta, të tjerë nga klima të buta në ato të ftohta.

Kafshët në tokë që nuk janë të afta të udhëtojnë në lartësi më të mëdha, përpiqen të strehohen në vende kodrinore aty pranë. Por këto strategji funksionojnë vetëm deri në një pikë të caktuar kufiri: malet kanë maja dhe Toka ka pole.

Për më tepër, kjo funksionon vetëm për speciet dhe ekosistemet që janë në gjendje të reagojnë më shpejt se ngrohja e klimës. Shkëmbinjtë koralorë nuk e kanë këtë mundësi. Ata parashikohet të zhduken plotësisht në një botë 3°C më të ngrohtë (fati i tyre i zi përkeqësohet edhe më tepër nga fakti se nivelet më të larta të dioksidit të karbonit e bëjnë ujin e detit me përmbajtje tepër të lartë acidi për mbijetesën e tyre).

Dështime të tilla në përshtatje e bëjnë Tokën edhe më të nxehtë. Pylli i Amazonës, tashmë i dëmtuar nga prerjet dhe djegiet, nuk ka gjasa të mbijetojë në një botë të tillë. Dhe shkatërrimi i tij do të lëshonte disa gigatonë karbon shtesë në atmosferë.

Sigurisht, Amazona nuk do të zhduket brenda natës. Edhe nëse emetimet e gazrave nuk do të kontrolloheshin mirë tani e tutje, e ardhmja e ngrohjes së klimës me 3°C do të shfaqet vetëm në gjysmën e dytë të shekullit, jo në të parën. Por sa më shumë që është e nevojshme për të ulur emetimet, aq më shumë shmangia e rritjes së temperaturave me 3°C bëhet diçka që mund të arrihet vetëm nëpërmjet aplikimeve të teknologjive të paprovuara dhe në disa raste, shqetësuese.

Ato përfshijnë metoda për të përthithur karbonin nga atmosfera në sasi të mëdha, ose për të reflektuar mbrapsht në hapësirë një pjesë të rrezeve të diellit. Njerëzimi do të detyrohej të varej nga gjeoinxhinieria diellore për të mbijetuar në një botë më të nxehtë që e ka krijuar vetë.

/Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat