Lulëzimi i turizmit shqiptar këtë vit ka bërë bujë të madhe, sidomos përtej kufinjve tanë, dhe veçanërsiht në Itali, ku thuajse përditë, mediat më prestigjioze të vendit i kushtojnë reshta të tëra turizmit në Shqipëri, fluksit të italianëve që e vizitojnë vendin dhe diferencës në çmime mes dy vendeve.
Por çfarë thonë realisht shifrat për italianët dhe vendet e tjera të origjinës së turistëve në Shqipëri?
“Scan Intel” ka analizuar shifrat publike nga Instituti i Statistikave, që i referohen gjysmës së parë të vitit, pra periudhës Janar-Qershor, çka do të thotë se mungon periudha kulminante e sezonit turistik, pra Korrik-Gusht, por se gjithsesi sinjalizojnë tendencën.
Pjesë e analizës janë 10 vendet kryesore të origjinës së turistëve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kohore, të cilat sipas renditjes nga vendi me më shumë turistë te ai me më pak ndër të dhjeta janë: Kosova, Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Gjermania, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Polonia.
Nëse zbresim më poshtë në renditje, poshtë Top 10-shes, bie në sy rritja e madhe e shtetasve nga Spanja dhe nga Ukraina, me mbi 100%, si dhe rënia e turistëve nga Serbia, me plot 9.5% këtë vit.