Donald Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka premtuar një sërë gjërash që kanë të bëjnë me emigrantët, ekonominë dhe luftën në Ukrainë.
Po ashtu duket se Trump do të ketë shumë mbështetje për axhendën e tij politike në Kongres pasi Partia Republikane rimori kontrollin e Senatit.
Në fjalimin e tij të fitores Trump u betua se qeverisja e tij do të ketë vetëm një moto të thjeshtë: “Premtimet e dhëna, do të mbahen”.
Deportimi i emigrantëve të paligjshëm
Gjatë fushatës Trump premtoi deportimin më të madh në historinë e SHBA-së të emigrantëve pa dokumente. Po ashtu u betua se do të përfundojë ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën, puna për të cilin nisi gjatë presidencës së tij të parë.
Numri i emigrantëve të paligjshëm që kalojnë nga kufiri jugor i SHBA-së arriti nivele rekord në fund të vitit të kaluar gjatë administratës Biden-Harris. Ekspertët thonë se deportimet e mëdha të premtuara nga Trump mund të përballen me probleme ligjore dhe logjistike si dhe mund të ndalojë rritjen ekonomike.
Lëvizje në ekonomi, taksa dhe tarifa
Sondazhet treguan se një arsye kryesore për votuesit që të vendosnin mes kandidatëve ishte ekonomia. Trump premtoi t’i japë fund inflacionit që nën presidentin Joe Biden arriti nivele shumë të larta. Por pushteti i një presidenti për të ndikuar në çmime është i kufizuar.
Ai premtoi gjithashtu shkurtime të taksave. Po ashtu parashikon që bashkishet t’i bëjë pa taksa, të heqë taksat për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe atë të korporatave.
Trump propozon tarifa të reja, të paktën 10% në shumicën e mallrave të huaja për të ndalur deficitin tregtar. Importet nga Kina mund të pësojnë një tarifë shtesë prej 60%. Disa ekonomistë paralajmërojnë se lëvizje të tilla mund të rrisin çmimet për njerëzit e zakonshëm.
Ndërprerja e rregullave për klimën
Gjatë presidencës së parë Trump ktheu pas qindra rregulla për mbrojtjen mjedisore dhe e bëri Amerikën kombin e parë që u tërhoq nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Edhe këtë herë premton ndërprerjen e disa rregullave në mënyrë që të ndihmojë industrinë amerikane të makinave. Në mënyrë të vazhdueshme, Trump sulmoi mjetet elektrike dhe premtoi se do t’i rrëzojë objektivat e Biden-it për të inkurajuar kalimin në makina më të pastra.
Trump u zotua edhe për rritjen e prodhimit të lëndëve djegëse në SHBA. Ai dëshiron të hapë në Arktik shpime për naftë, për të cilat argumenton se do të ulin kostot e energjisë. Megjithatë për këtë analistët janë skeptikë.
Fundi i luftës së Ukrainës
Trump është kundër dërgimit të miliardave dollarë në mbështetje të Ukrainës në luftën me Rusinë. Për këtë arsye premtimi, ndoshta më i bujshëm në arenën ndërkombëtare, është se do t’i japë fund luftës “brenda 24 orëve” përmes një marrëveshjeje të negociuar.
Ai nuk e ka shprehur se nga çfarë duhet të heqë dorë secila palë. Demokratët thonë se kjo lëvizje do të inkurajonte presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump dëshiron që SHBA të shkëputet nga konfliktet e huaja në përgjithësi. Në lidhje me luftën në Gaza, Trump u pozicionua si mbështetës i vendosur i Izraelit, por i ka kërkuar aleatit të tij që t’i japë fund operacionit.
Edhe dhunës në Liban premton t’i japë fund, por nuk e ka treguar se si.
Nuk ka ndalim për abortin
Edhe pse kundër dëshirës së shumë prej mbështetësve të tij, Trump gjatë debatit presidencial me Kamala Harris tha se nuk do të nënshkruante një ligj kombëtar për ndalimin e abortit.
Kujtojmë se në vitin 2022 e drejta kushtetuese për abortin u rrëzua nga Gjykata e Lartë, pjesë e së cilës ishin shumica konservatorë si pasojë e presidencës së parë të Trump.
Për këtë arsye të drejtat riprodhuese u bënë një prej temave kryesore të fushatës për Harris. Për Trump shtetet duhet të jenë të lira të vendosin ligjet e tyre për abortin.
Do të falë disa protestues të 6 Janarit
Trump është shprehur se do të lirojë disa prej të dënuarve për trazirat e 6 Janarit 2021, kohë kur mbështetësit e tij hynë në ndërtesën e Capitol-it për të penguar marrjen e pushtetit nga Joe Biden.
Për shkak të dhunës që Trump akuzohet se e inicioi, disa persona humbën jetën. Ai ka folur pak për rëndësinë e trazirave dhe i ka quajtur të burgosurit për këtë çështje si të burgosur politikë.
Ai vazhdon të thotë se shumë prej tyre u burgosën gabimisht edhe pse pranon se disa prej tyre me shumë mundësi dolën jashtë kontrollit.
Do të heqë Prokurorin special, Jack Smith
Trump zoton pushimin “brenda sekondash” sapo të marrë detyrën të prokurorit veteran që udhëheq dy hetime kriminale ndaj tij.
Prokurori special, Jack Smith ka hetuar Trump në lidhje me përpjekjet e pretenduara për rrëzimin e zgjedhjeve të 2020 dhe mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara.
Trump mohon akuzat dhe ia ka dalë që të ndalojë së kaluari këto çështje në gjyq para zgjedhjeve. Ai thotë se Smith e ka bërë atë subjekt të një “gjuetie politike shtrigash”.
Si kurrë më parë Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë me një dënim kriminal pasi është shpallur fajtor në New York për falsifikimin e të dhënave të tij në biznes.