Në analizën që i bën tregut të pasurive të paluajtëshme për gjysmën e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë konkludon se janë rritur të tre komponëntët bazë të tij, oferta, kërkesa dhe kostot e ndërtimit, çka parashikohet të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve.
Mbi bazën e të dhënave të vrojtimit për gjendjen e tregut të pasurive të paluajtshme dhe ecurinë e çmimit të banesave, të dhënave të raportuara nga bankat dhe të dhënave të tjera administrative, Banka e Shqipërisë vlerëson që gjatë periudhës, kërkesa, oferta dhe kostot e ndërtimit në tregun e pasurive të paluajtshme janë rritur dukshëm.
Rritja e kërkesës dëshmohet nga rritja e vëllimit të shitjeve, rënia e numrit të pronave të pashitura dhe rritja e kredisë për blerje banese. Rritja e ofertës lidhet me rritjen e qëndrueshme të numrit të lejeve të ndërtimit, e shoqëruar këtë herë edhe me rritjen e dukshme të kostove të ndërtimit.
Ecuria e këtyre të fundit, sipas bankës së Shqipërisë ka reflektuar rritjen e fortë në shpenzimet për energji, materiale ndërtimi dhe makineri. Paralelisht, kjo është shoqëruar me rritjen e tepricës së kredisë për ndërtim nga ana e sektorit bankar.
Stoku i kredisë për blerje pasurish të paluajtshme nga sektori i individëve shënoi rreth 140 miliardë lekë në fund të periudhës, duke u rritur me 8% dhe 16% kundrejt nivelit të regjistruar gjashtë muaj dhe një vit më parë.
Këto zhvillime kanë rezultuar në një rritje të ndjeshme të indeksit Fischer të çmimit të banesave ne rang vendi, në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë, me përkatësisht 28.4% dhe 39%. Kjo ecuri e indeksit është përcaktuar nga rritja e çmimit mesatar të banesave në Tiranë, ndonëse çmimet janë rritur edhe në zonat e tjera të vendit.
“Pavarësisht një qëndrimi më neutral për ecurinë e tregut të banesave në periudhën afatshkurtër, agjentët e tregut mbeten optimistë për ecurinë e tij në një periudhë më afatgjatë” thekson Banka e Shqipërisë në analizën e saj. /SCAN
LEXO EDHE: VIDEO/ A është shtëpia juaj e mbrojtur nga zjarri, tërmeti apo përmbytja?