Monopatinat elektrike, ose të njohura ndryshe edhe si trotineta elektrike, dje u vendosën në qendër të vëmendjes mediatike.
Nxitës u bë një aksident i rëndë në qendër të Tiranës.
Përkatësisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tre të mitur që udhëtonin mbi një mjet elektrik lëvizës monopatinë, u aksidentuan nga një drejtues automjeti.
Për fatin e keq tre të rinjtë janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Drejtuesi i automjetit është nën arrest.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Në diskutimet televizive, megjithatë, vëmendja u kthye nga një temë që sa herë është shfaqur deri më tani, me po të njëjtën shpejtësi është larguar: nevoja e rregullimit ligjor të qarkullimit të këtyre mjeteve elektrike, të llojit monopatina.
Këto lloj mjetesh, aktualisht nuk janë pjesë e ligjit 32/2021, “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”, neni 3 pika 16.
Kështu që si mjete lëvizëse në të njëjtat rrugë me makinat aksidentojnë dhe aksidentohen, por as nuk shtrëngohen të dëmshpërblejnë dhe as nuk dëmshpërblehen.
Si e ka zgjidhur së fundmi Italia këtë çështje?
Reforma e Kodit Rrugor në Itali, që hyri në fuqi më 14 dhjetor 2024, solli disa ndryshime të rëndësishme. Ndër më kryesoret është detyrimi për sigurimin e përgjegjësisë civile (RC) për të gjithë ata që përdorin monopatinë elektrike.
Të gjithë pronarët e monopatinëve elektrikë duhet të lidhin një sigurim të ngjashëm me atë të makinave apo motoçikletave. Kushdo që kapet duke qarkulluar pa sigurim të rregullt, rrezikon gjobë administrative nga 100 deri në 400 euro.
Ky detyrim ka hyrë në fuqi në muajin qershor, 6 muaj pas ndryshimit.
Aktualisht, tregu italian ofron dy lloje sigurimesh për monopatinët elektrikë:
- Polica RC “Kreu i familjes” (Capofamiglia)
Kjo policë mbulon dëmet që përdoruesi (ose anëtarë të familjes së tij) mund t’u shkaktojnë palëve të treta gjatë përdorimit të monopatinës. Kostoja fillon nga rreth 70 euro në vit dhe ndryshon në bazë të garancive të përfshira dhe numrit të personave të siguruar. - Polica RC specifike për monopatinët elektrikë
Siguron drejtuesin në rast dëmesh ndaj personave apo objekteve të palëve të treta. Çmimi varion nga 40 deri mbi 200 euro në vit, në varësi të shumës maksimale që mbulon polica, pjesës që paguan i siguruari (franshiza) dhe garancive shtesë si ndihma ligjore apo sigurimi nga aksidentet për drejtuesin.
Kodi i ri parashikon edhe detyrim për helmetë edhe për të rriturit si dhe detyrim për targa identifikuese. Kjo targë është një ngjitëse plastike që prodhohet dhe lëshohet nga Shtypshkronja e Monedhave të Shtetit. Targa është e verdhë, me tre shkronja dhe tre numra të vendosur në dy rreshta. Çmimi i saj përcaktohet me dekret të posaçëm.
Italia, në lidhje me qarkullimin e monopatinave, ka vendosur edhe dy ndalime të qarta: Ndalimin e qarkullimit në sens të kundërt dhe lejimin e lëvizjes vetëm në rrugë urbane, me shpejtësi deri në 50 km/h.
Për më tepër, kompanitë që ofrojnë monopatina me qira (sharing) do të duhet të instalojnë sisteme që ndalojnë funksionimin e mjeteve jashtë kufijve të qytetit.
Këto masa synojnë të rrisin sigurinë rrugore dhe të sigurojnë që përdorimi i monopatinëve elektrikë të jetë më i kontrolluar dhe i përgjegjshëm.
A do të hapet një debat në nivel ligjvënësish edhe në Shqipëri?
Këtë nuk e dimë.
Deri atëherë monopatinat elektrike do të vijojnë të qarkullojnë rrugëve, me sens të kundërt, pa kasketa mbrojtëse, duke dëmtuar dhe duke u dëmtuar, pa qenë subjekt dëmshpërblimi dhe pa qenë të shtrënguar të zhdëmtojnë, duke qenë sa praktike si mjete lëvizjeje, aq edhe kaotike.